Meghan Markle publikon videon duke kërcyer me Princ Harry-n në maternitet para lindjes së vajzës
Meghan Markle ndau një kujtim të veçantë në rrjetet sociale me rastin e ditëlindjes së katërt të vajzës së saj, Lilibet.
Në një video të postuar në llogarinë e saj personale në Instagram, dukesha e Sussex shfaqet duke kërcyer së bashku me Princin Harry në dhomën e maternitetit, pak para lindjes së vajzës së tyre, në qershor të vitit 2021.
E veshur me një fustan të zi, 43-vjeçarja kërcen, rrotullohet dhe lëviz ritmikisht ijet nën tingujt e këngës “Baby Momma Dance Song”, ndërsa në sfond shfaqet edhe Princi Harry duke treguar lëvizjet e tij.
“Para katër vitesh ndodhi edhe kjo,” shkruan Meghan në mbishkrimin që shoqëron videon, dhe shton: “Të dy fëmijët tanë erdhën në jetë një javë pas datës së parashikuar… Prandaj, kur as ushqimi pikant, as shëtitjet e gjata dhe as akupunktura nuk funksionuan, na mbeti vetëm një zgjidhje.”
Lilibet lindi më 4 qershor 2021 në Kaliforni. Çifti mbretëror ka edhe një djalë, Princin Archie, i cili ka lindur në maj të vitit 2019. Të martën, Meghan publikoi gjithashtu një seri fotografish dedikuar ditëlindjes së Lilibet-it, përfshirë një imazh të prekshëm ku e mban vajzën e sapolindur në krahë. “Gëzuar ditëlindjen vajzës sonë të bukur! Katër vite më parë hyri në jetën tonë dhe që nga ajo ditë, çdo ditë është bërë më e ndritshme dhe më e bukur,” shkroi Meghan në postim, duke shtuar edhe një mesazh falënderimi për të gjithë ata që i dërguan urime. Dukesha postoi gjithashtu disa fotografi të Harry-t me vajzën e tij në periudha të ndryshme të jetës së saj, duke shkruar me emocion: “Princesha e tij e vogël dhe eksploruesja e tij e dashur. Gëzuar ditëlindjen, Lili!” Emri Lilibet është zgjedhur në nder të stërgjyshes së saj, Mbretëreshës Elizabeth II, pasi ky ishte nofka e saj në fëmijëri. Ndërsa emri i dytë, Diana, është një homazh për gjyshen e saj të ndjerë, princeshën Diana.
View this post on Instagram