Megi Pojani flet pas kritikave në rrjet: ‘Ky është mbase një mësim që duhej ta merrja’

E ftuar mëngjesin e sotëm në “Wake up” në Top Channel, Megi Pojani foli sërish për kritikat në rrjete sociale në lidhje me videon e saj te varri i stërgjyshes.

Në videon e shumëpërfolur, Megi pastronte varrin e stërgjyshes dhe bënte shaka me stërgjyshen e ndjerë, duke i treguar se tanimë, është e famshme.

 “Kam kërkuar ndjesë për këtë video. Ka një tranzicion që kam ndjekur si personazh, si njeri. Unë kam filluar të postoj në rrjete sociale shumë vite më përpara dhe nuk e kuptoja atëherë përgjegjësinë e të paturit një platformë sociale. Pra, e shfrytëzoja vetëm për t’u argëtuar. Ndodh ndonjëhërë, siç e kam kuptuar kohët e fundit, që diçka që mund ta kem bërë thjesht për qëllim argëtimi ose pa asnjë qëllim, kur rishfaqet tani merr një konotacion tjetër. Ky është thjesht mbase një mësim që duhej ta merrja,” tha Megi në “Wake up”.

Në vijim, shtoi:

“Unë kam kërkuar një falje publike; është hera e parë që e bëja një gjë të tillë dhe nuk jam aspak e mirë në të kërkuarin falje, aq më pak publikisht dhe me njerëz që përdorin gjuhë urrejtjeje të cilën nuk e toleroj në jetën time. Unë absolutisht u kërkoj falje njerëzve që dhimbjen e humbjes së njerëzve të dashur e kanë të freskët, u kërkoj falje njerëzve që akoma nuk e kanë kaluar dhimbjen e madhe të të mos paturit pranë një njeri që e kanë dashur fort, u kërkoj falje edhe njerëzve që janë të ndjeshëm në atë vend [varreza] sepse ashtu e ndiejnë.”

Megi theksoi se e ka të nevojshme të shpjegojë procesin se si është bërë videoja dhe pse nuk ka pasur qëllim të tregonte mungesë respekti për të ndjerën.

“Por duhet të shpjegoj diçka, për mënyrën se si e kam parë këtë gjë pse e kam bërë. Nuk dua të them tani që meqë kjo video doli, unë ndryshova këndvështrimin. Jo. Kur ajo video është bërë, edhe para se të bëhej, që kur unë erdha në botë, jam mësuar nga familja ime të jem bashkëpunuese, shumë familjare. Unë dhe motrat e shoqërojmë mamin kur shkon në varreza dhe nuk është një proces që mami shkon aty dhe ti pret që ajo të mbarojë. Ne shkojmë atje, përveshim mëngët, mbushim kova me ujë dhe distancat janë shumë të largëta. Duhet të shkulësh barin me rrënjë, të pastrosh, të marrësh sende pastrimi. Ky është një ritual që unë e bëj minimalisht 2-3 herë në vit me familjen time. Si mundem unë që vërtet përpiqem që mamaja ime të jetë më e qetë dhe njerëzit tanë të dashur që janë ndarë nga jeta të kenë një vend sa më dinjitoz për të pushuar në jetën e përtejme, të tregoj mungesë respekti ndaj këtyre njerëzve. Mbi të gjitha që janë pjesë e familjes sime.”

“Unë kam ardhur para publikut shqiptar me të gjithë të mirat, të këqijat, me gjithë dhembshurinë, budallallëqet e mia dhe kuptoj që kur kalon kohë, njerëzit nuk i perceptojnë më në të njëjtën mënyrë. A do ta bëja sërish? Jo.” – shtoi më tej.

Dje, Megi i kërkoi publikisht ndjesë kujtdo që ishte fyer.

“Jam shumë e keqardhur për veprimet e mia te videoja që është publikuar sot. Kam qenë të varri i stërgjyshes sime, ku shkoj shpesh, e laj, i ndez qiri dhe i vendos lule të freskëta që varri t’i dalë në dritë.

 

Kjo është mënyra se si e ndërtoj komunikimin me një stërgjyshe që prindërit e mi e kanë dashur fort. Është mënyra ime, jo e jotja; marrëdhënia ime me të, jo e jotja. Varret s’lidhen vetëm me kujën dhe lotët. Atë moment, kur është bërë video (3 vite më parë) e kam të gjallë edhe tani. Çdo herë që vizitojmë të afërmit tanë në varreza, mami ngarkohet dhe ne mundohet ta bëjmë të qeshë me “idiotësitë tona”. Kjo është shumë intime.

I kërkoj ndjesë përulësisht kujtdo që (me të drejtë) mund të jetë fyer nga veprimi im i pamatur. Kam e vetëdijshme se sa mund të lëndojë, sa ç’jam e vetëdijshme për qëllimet për se është bërë dhe publikuar kjo video – kurrë për t’u tallur e personin tim të dashur. Uroj që personazhi im në rrjetet sociale të mos keqkuptohet dhe të mos interpretohet si karakteri im i vërtetë dhe kam bindjen që në aq kohë sa kam qenë pjesë e televizionit, kam treguar se kush është Megi e vërtetë. Uroj në mirëkuptimin e njerëzve që më kanë mbështetur deri tani, në jetë dhe në rrjetet sociale.”

Share With:
Translate »
52 Views