Mes pasagjerëve edhe 13 fëmijë, flet shoferi i autobusit që shkaktoi aksidentin tragjik në Kroaci

Një aksident tragjik në Kroaci u mori jetën 10 shqiptarëve të Kosovës mëngjesin e sotëm. Autobusi doli nga rruga duke u përmbysur dhe ky aksidenti i rëndë u regjistrua pranë qytetit Slavonski Brod.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme në Prishtinë njofton se nga aksidenti tragjik në Kroaci kanë humbur jetën 10 shqiptarë të Kosovës, 44 kanë marrë ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve dhe 15 prej tyre janë në gjendje më të rëndë për jetën. Ata ishin duke u kthyer nga Gjermania për në Prishtinë kur autobusi doli nga rruga në Kroaci.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nga komunikimi me autoritetet kroate njofton opinionin publik se nga të dhënat e konfirmuara deri në orën 11:30, si pasojë e një aksidenti tragjik në trafik që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë kanë humbur jetën 10 persona,bashkëatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda.

MPJD-ja, do të njoftojë opinionin publik ne kohë reale me të dhënat e tjera të konfirmuara gjatë orëve në vazhdim lidhur me këtë ngjarje tragjike.

Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë e angazhuar në orët në vazhdim për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar dhe për t’iu asistuar bashkëatdhetarëve dhe familjarëve të tyre në të gjitha procedurat e nevojshme. MPJD-ja shpreh keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të bashkëatdhetarëve tanë, iu shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe ju dëshiron shërim të shpejtë të lënduarve”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Nga ana tjetër Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, ka bërë me dije se në autobus ka pasur edhe 13 fëmijë dhe fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk ka humbur jetën.

“Sipas informatave që kemi kanë qenë diku 13 fëmijë në autobus dhe fatmirësisht asnjë prej tyre nuk është në listën e të vdekurve. Tani jemi duke e bërë studimin e moshës dhe identifikimin e tyre dhe posa ta kemi këtë informatë do ta ndajmë me opinionin”, tha Kasapolli.

Gjithashtu shoferi që shkaktoi tragjedinë e rëndë është arrestuar. Zëvendësi i Prokurorit Komunal të Shtetit në Kroaci, Slavko Pranjic ka treguar se shoferi i autobusit ka deklaruar se e kishte zënë gjumi për një moment dhe ky dyshohet se ka qenë shkaku kryesor i aksidentit.

Share With:
Translate »
148 Views