Ministri Kotzias flet për nxënësin shqiptar në Greqi me bluzën e “Shqipërisë së Madhe”

Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias ka komentuar në lidhje me rastin e nxënësit shqiptar në Kretë, që u shfaq në një orë mësimi me bluzën e “Shqipërisë së Madhe”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të një deputeti opozitar në Parlamentin grek, ministri Kotzias e konsideroi një rast të izoluar dhe se kjo ngjarje nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Megjithatë, ai shtoi se është i pari rast që një ngjarje e tillë ndodh në prani të diplomatëve shqiptarë në Greqi.

“Ministri shqiptar për Diasporën, Majko, gjatë vizitës së tij të fundit në vendin tonë, u takua me ministrin e Punëve të Brendshme dhe ka dhënë shpjegime për incidentin në Kretë, duke specifikuar se ky është një rast i izoluar dhe nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet e mira midis Greqisë dhe Shqipërisë. Ne i kemi bërë të qartë palës shqiptare përmes ambasadës së tyre këtu, se presim që incidente të tilla të mos ndodhin në të ardhmen”, u shpreh ministri i Jashtëm i Greqisë.

Ministri Kotzias i referohet rastit të rreth dy muajve më parë, kur në Xania të Kretës nisën kurset në gjuhën shqip për fëmijët shqiptarë që jetojnë në atë zonë. Në orën e parë të kursit shqip në Kretë, ishin të pranishëm përfaqësues të ambasadës shqiptare në Greqi kur ndodhi ky incident. Rasti i referohet pikërisht fotos ku duket fëmija me bluzën e “Shqipërisë së Madhe”.

Kotzias theksoi gjithashtu se fëmija në fjalë dhe asnjë fëmijë tjetër, nuk duhet të vihet në shënjestër për faktin se veshi një bluzë të “Shqipërisë së Madhe”. “Themeli i politikës së jashtme të vendit tonë është bashkëjetesa e qetë sociale brenda saj”, tha ministri Nikos Kotzias.

Share With:
Translate »
691 Views