Miriam Cani rrëfen për “The Voice Kids”

Miriam Cani është një nga figurat më të dashura në skenën e muzikës shqiptare vitet e fundit. Dhe duke se kjo e ka favorizuar edhe për t’u zgjedhur nga fëmijët më të talentuar.

Riktheheni në karrigen e kuqe të “The Voice Kids”. Si e pritët propozimin për të qenë përsëri një nga trajneret e këtij spektakli?

Mund të them që më erdhi projekti i duhur në momentin e duhur! E pranova me shumë kënaqësi dhe besoj se do të ndihem shumë komode në këtë rol, pasi edhe mëmësia më ka bërë që fëmijët apo botën e fëmijëve ta shoh tashmë në një dimension edhe më të gjerë. Padyshim që do ta kem pak më të vështirë se sa në edicionet e kaluara të “The Voice”, sepse fëmijët kërkojnë një delikatesë dhe ndjeshmëri shumë të madhe në mënyrën se si do të trajtohen dhe mund të lëndohen shumë shpejt, por do të bëj më të mirën time që ata të argëtohen deri në fund dhe të largohen të lumtur.

Në momentin e publikimit të emrit tuaj si një nga trajneret e këtij edicioni, kishte reagim pozitiv nga publiku. Jeni portretizuar gjithmonë si një person i ëmbël dhe i butë. Mendon se kjo ju bën më të preferuarën e konkurrentëve të vegjël? A di Miriami të jetë dhe e rreptë?

Më shumë se sa e rreptë unë preferoj të jem e sinqertë, por gjithmonë brenda logjikës së këtij formati. Gjuha e fëmijës nuk është e njëjtë me atë të një të rrituri. Ky do të jetë një nga ndryshimet thelbësore në krahasim me “The Voice” për të rritur. E gjitha duhet të trajtohet si një spektakël plot ‘art për fëmijë’ duke ia transmetuar atë ngrohtësi edhe teleshikuesve, të cilëve pas një ditë të lodhshme duhet t’i dhurojmë një buzëqeshje në portretin e tyre. Bota e fëmijëve është e magjishme dhe kësaj magjie duhet t’i bashkëngjitemi dhe përshtatemi edhe ne. Në plan të parë në këtë spektakël janë fëmijët, pastaj vijmë ne. Performanca në tërësi për mua do të vlejë shumë në këtë edicion. Nëse unë shoh që një fëmijë këndon me emocion dhe argëtohet në skenë nuk do t’i kushtojë shumë rëndësi detajeve të vogla.

Në këtë edicion do të marrin pjesë fëmijë nga 6-14 vjeç, ndryshe nga eksperienca juaj e mëparshme në “The Voice” ku konkurrentët ishin të rritur. Cilat janë pritshmëritë tuaja ndaj konkurrentëve? Çfarë do të bëni ndryshe këtë herë?

Arti më i sinqertë në botë mund të vijë nga një fëmijë. Është naiv… i pastër… i paprekur dhe i pandikuar. Ata do të këndojnë ashtu siç do t’i burojë në atë moment nga shpirti. Ky është ndryshimi thelbësor midis një fëmije dhe një të rrituri. Fëmija nuk impostohet ose mundohet të të imponoj diçka. Kjo gjë do ta bëjë këtë spektakël natyrisht edhe më emocionues. Jam e bindur që do të kënaqemi të gjithë pa përjashtim. Një nga synimet e mia kryesore do të jetë të arrij që fëmijët mos të kenë kurrë ndjenjën e humbjes dhe ‘The Voice’ të mbetet një nga kujtimet e tyre më të çmuara.

Mendon se fakti i të qenit prind ju ndihmon në këtë aventurë të re profesionale?

Kjo, pa diskutim. Por ashtu siç është avantazh do të jetë edhe disavantazh, sepse na bën të jemi edhe më të ndjeshëm. Fëmijët janë bekim dhe jam e bindur që do të na dhurojnë kënaqësi pafund. Ky sezon i “The Voice” do të jetë një miks perfekt midis raportit profesional dhe atij njerëzor-prindëror që do të kem me fëmijët. Do ta kem shumë të vështirë të jem dhe serioze me ta, sepse në përgjithësi fëmijët më kthejnë edhe mua në fëmijë dhe gjithçka që dua në momentin që jam në shoqërinë e tyre është t’i përqafoj, t’i puth apo të luaj me ta. Do të përpiqem shumë të përmbahem.

Këtë herë do të kemi tre skuadra, për katër trajnerë. Skuadrën e Miriam Canit, Eneda Tarifës dhe skuadrën e Renis dhe Aleksandër Gjokës. Kë shihni si rivalin kryesor në këtë garë mes trajnerësh?

Unë këtë rol e kam marrë gjithmonë me shumë sportivitet. Tani për të katërtin vit nuk do të ndodhë ndryshe. Natyrisht, dëshira që zërat të cilat i përkasin shijeve apo stilit tënd muzikor të vijnë në grupin tënd, do të vijë shumë instiktive. Renisi dhe Sandri kanë avantazhin që janë dy dhe argumentet për të rrëmbyer zemrat e tyre do të jenë të dyfishtë, por Eneda dhe unë jemi nëna dhe kjo në njëfarë mënyre do t’i dhurojë fëmijëve mbase më shumë siguri apo ngrohtësi (qesh). Mos të flasim për faktin pastaj që unë kuzhinën e kam pasion… që do të thotë se përveç trajnimit muzikor do t’i mbaj fëmijët edhe me të gjitha të mirat, që të ndihen pranë meje si në shtëpinë e tyre. Por gjithsesi… një gjë është e sigurt. Do të ketë aq shumë talente, saqë edhe tre ekipet tona nuk do të jenë mjaftueshëm, për të kaluar të gjithë ata të cilët do e meritojnë.

Share With:
Translate »
774 Views