Mjeku shpjegon arsyen pse vdiqën personat që u nxorrën gjallë nga rrënojat

Kur duket sikur “plaga” e pasojave të tërmetit po shuhet, janë ekspertët ata që japin detajet dhe motivet për gjithçka ndodhi në mëngjesin tragjik të së martës së kësaj jave. Sigurisht, një fenomen i trishtë nëse mund ta quajmë kështu ishte ai i fatit të keq të tre personave që u nxorrën fillimisht të gjallë nga rrënojat, e më pas ndërruan jetë.

Diena Karanxha, Saimir Gregu dhe Klement Çupi ishin mes 50 viktimave që shkaktoi ky tërmet i fuqishëm. Ata siç raportuan fillimisht grupet e kërkim-shpëtimit u nxorrën të gjallë nga rrënojat ku kishin qëndruar për orë të tëra, dhe më pas ndërruan jetë duke prekur pafund zemrat e familjarëve, të afërmve dhe gjithë Shqipërisë që ende sot është e tronditur nga pabesia e natyrës që goditi vendin duke u gdhirë mëngjesi i së martës.

Diena ishte e vetëdijshme duke u thënë ekipeve të shpëtimit që ta linin të ndërronte jetë nën rrënoja ku kishte humbur edhe vajzën, ndërsa Klement Çupi bënte shaka me ekipin e shpëtimit grek dhe të afërmit duke thënë se duhej të pinin kafe pasi të mbaronte e gjithë kjo. Ndërkohë, Saimir Gregu komunikoi gjatë gjithë ditës me ekipet e shpëtimit deri në nxjerrjen e tij në orët e pasdites së datës 26 nëntor. Por, nëse dolën gjallë dhe të vetëdijshëm pse vdiqën Diena Karanxha, Saimir Gregu dhe Klement Çupi?

Sipas kreut të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj e gjithë kjo lidhet me një fenomen që zhvillohet tek muskujt e njeriut kur ato shtypën. I ftuar tek “ABC-ja e mëngjesit”, ai tha: “Probemi i personave që dalin nga rrënojat lidhet me kohën që kanë ndejtur aty dhe sa dëmtime kanë tek indet e buta, pra muskujt. Shkatërrimi i muskujve shkakton çlirimin e emiozinës, e cila futet fillimisht në gjak dhe përfundon në veshka duke mos u eliminuar nga veshka gjë që shkakton insuficiencë renale dhe më pas mos funksionim të organeve të tjera që çon në vdekje”!

Share With:
Translate »
630 Views