Motra e vogël e Besa Kokëdhimës, për herë të parë në ekran për një arsye të fortë

Besa, Bora dhe Era… tri motra dhe tri vajza të mrekullueshme që jo vetëm me njëra-tjetrën, por edhe me prindërit kanë një marrëdhënie për t’u pasur zili. Sa herë u jepet rasti, Koço dhe Brixhida Kokëdhima, flasin me admirim dhe shumë krenari për tri dashuritë e jetës së tyre. Secila me specifikën e vet, çdonjëra me emocionin dhe përkushtimin, me energjinë, pasionin dhe dashurinë për punën, motrat Kokëdhima janë bekim për prindërit e tyre.

Besa është këngëtarja që njohim të gjithë. E ka nisur rrugën e muzikës shumë herët, por nuk e pati të thjeshtë. Edhe pse fitoi çmimin e parë që me debutimin në njërën prej garave muzikore të kohës, Besa u përball me lloj-lloj komentesh: “E fitoi, sepse e ndihmoi i ati”, “E bëri i ati” etj. si këto që, për fat të keq, nuk ishin të pakta. Por, vitet  treguan shpejt se Besa ishte atje, sepse dinte të këndonte dhe jo sepse ishte e bija e Koço Kokëdhimës.

Në të njëjtën rrugë vijoi më tej edhe Bora Kokëdhima. “Savage”, linja e saj e veshjeve, është një prej më të preferuarave në modën dhe stilin mondan të kryeqytetit. Por edhe Bora luftoi për t’u shkëputur nga pema dhe hija e të atit, biznesmenit të njohur që “krijon të gjitha mundësitë”. Me talentin dhe shijen e hollë e të kultivuar jashtë Shqipërisë, Bora e ka gjetur tashmë hapësirën e saj dhe po e rrit vit pas viti.

Më e vogla, Era Kokëdhima, është dashuri. Kaq thotë dhe ka thënë mjaft e ëma e saj, Brixhida Kokëdhima, nga studio e “Pasdite në Top Channel”. Jo sepse dy të mëdhatë nuk janë, por e vogla mbetet e vogla. Era është më afër prindërve të saj, ndaj edhe ndan me ta një pjesë të madhe të ditës, ndryshe nga motrat më të mëdha që jetojnë me partnerët e tyre. Ashtu si motrat, edhe Era është e prirur më shumë nga arti sesa biznesi si prindërit, por ka të gjitha aftësitë edhe të jetë në krye të një sipërmarrjeje në të ardhmen, pse jo? Aktualisht, Era është duke kërkuar rrugën në një fushë të artit: “Era nuk ka dalë në arenë, por ka shumë pasion kinemanë” – thotë e ëma. Si njeri me shumë talente, mos t’ju vijë çudi që ta shihni edhe në kinema shumë shpejt.

Duke folur për të tria, Brixhida nuk di të ndajë cila është më shumë….  “Janë vajza të mrekullueshme, janë bekim për ne”, – thotë ajo krenare. Por Era është ajo që, në këtë rast, i ka dërguar një dedikim special së ëmës me fjalë të ndjere prej bije krenare.

Përmes një videomesazhi, Era thotë se e ëma ka qenë dhe është gjithmonë diell për të: “Mami është Dielli, bekimi im… Prindërit nuk i zgjedh dot, por unë jam e lumtur dhe me fat për prindërit që kam…” – tha Era pa e fshehur emocionin.

… që vijoi edhe në studion e Pasdites: “Edhe pse ajo tha për mua që unë jam bekim, në fakt ajo është bekim për ne. Era është dashuri.”

Share With:
Translate »
1072 Views