Ndryshimet fizike dhe psikologjike në adoleshencë, kur është mosha ideale për një raport seksual, një manual sesi prindërit duhet tu qasen fëmijëve të tyre

“Adoleshenca në filtrin e dashurisë” ishte libri i parë që i dha jetë shkrimtarja Xhoi Jakaj që në një vështrim të parë duket si një manual për ta por që në fakt është një guidë për prindërit sesi duhet tu përqasen atyre në këtë fazë të stuhisë emocionale.

Në studion e emisionit “Ditë e Re” në Rtv Ora, Jakaj u ndal te raporti i adoleshentëve me njohjen e ndjenjave, dashurisë e deri edhe te konsumimi i raportit seksual dhe kufizimeve që prindërit priren tu bëjnë me ‘JO-në” radikale,  sa për paaftësinë për tu shpjeguar dhe arsyetuar aq dhe me drojën e tyre për të prekur tema kaq delikate me ta.

Jaka: Është totalisht e pashëndetshme është që nëse ti i thua fëmijës që ti në mënyrë kategorike nuk do të dashurosh, në mënyrë kategorike nuk do të veshësh fund të shkurtër, nuk do të ekspozosh hiret e tua të cilat fillojnë e zhvillohen në rritje sepse një gjë e ndaluar adoleshenten e bën që ta kërkojë me tepër. Çdo gjë të ndaluar qënia njerëzore e kërkon më shumë. Libri i parë e ka marrë spunton nga mënyra sesi unë e kam trajtuar adoleshentin. Në kohën që unë kam dhënë mësim në gjimnaz vinin sapo mbaronin klasën e tetë. Vitin i parë gjimnaz u dukej se janë shumë më të rritur, kalonin nga sistemi i 8-vjeçares në gjimnaz, po flas për vitet 2011-2012. Vitet që kam dhënë mësim në gjimnazet e Tiranës kanë pasur numër të jashtëzakonshëm, 60 veta në klasë vitet e para.

Nga klasa e tetë në vit të parë ishte ndryshim shumë i madh. Duke parë zhvillimin e tyre emocional, fizik, sepse unë kam dhënë dhe biologji për shumë vite në gjimnaz, i këshilloja më së shumti prindërit dhe libri është shkruajtur për prindërit. Trajtoje adoleshentin me dashuri, kujdes, përkëdhelje, me udhëzimet e duhura, foli për trupin, zhvillimet emocionale, zhvillimin fizik por dhe psikologjik. Dhe nëse ti i ndërthur shumë mirë të gjithë këto elementë, sigurisht ka prindër që nuk kanë kohën e duhur, por për fëmijët gjithmonë duhet të kesh kohën e duhur, atëherë ti ke bërë më të mirën për fëmijën tënd. Ti mund të jesh një mësues i mirë, një pedagog i mirë, një doktoreshë e mirë, një shkencëtar i mirë por nëse nuk ja del të jesh një prind i mirë jeta jote do të jetë shumë e vakët dhe shumë e parealizuar.

Nga ana biologjike që në moshën 9, 10, 11 vjeçare fillojnë dhe zhvillohen proceset jetësore, fiziologjike dhe biologjike. Zhvillimi trupor merr hov dhe zhvillimi i trurit është  paksa jo në proporcion me zhvillimin trupor. Këto hormone që prodhohen te adoleshenti dhe para-adoleshti bën që ai të ndjejë ato dashuritë e para. Nëse në këto momente ti nuk je shumë i kujdesshëm që ti japësh atë që kërkon adoleshenti, jo atë që do prindi. Sa më shumë ti plotësosh kërkesat fëmijës në adoleshencë aq më i mirë bëhet dhe aq më mirë rritet në jetë. Seksualiteti është një term shumë i madh. Unë jam kundër konsumimit të dashurisë në moshën e para-adoleshencës dhe në adoleshencën e hershme, ama ajo nuk ka receta. Ti do ti thuash, do të flasësh, por recetat janë shumë të vështira për tu dhënë.

Fokusin e vë te parapërgatitja që prindi duhet ti bëjë fëmijës së tij, qoftë vajzë apo djalë për këtë fazë të jetës.

Jakaj: Nuk e kuptojnë që duke ju folur për seksualitetin, zhvillimin fizik, zhvillimin e gjoksit, fillimin e ciklit të menstruacioneve i kanë dhënë një mësim shumë të madh fëmijës vajzë të cilën në varësi të kulturave, ka vende që janë shumë të prapambetura. Dhe në Shqipëri ka zona që janë tabu. Ne jetojmë në Tiranë, unë kam një qendër sociale që e drejtoj ku vajza 11 vjeçe i kishte zyshës “mua më kanë ardhur ato”. Nuk e thoshte fjalën të plotë, i dhamë disa këshilla aq sa mundëm ne, telefonuam prindin. U mundova ti shpjegoja mamasë të gjitha detajet.

Nuk dinte ose i vinte turp ti shpjegonte vajzës së saj se ky është një proces jetësor, biologjik që ndodh te të gjithë femrat. Ti duhet ta parapërgatitësh vajzën për të këtë emocion shumë të madh në trupin e saj. Ti flasësh për ciklin menstrual, seksualitetin, zhvillimin e gjoksit, kam parë shumë vajza që akoma në 2022 kërrusen në paraadoleshencë nga turpi ose veshin bluza të mëdha nga turpi dhe droja që i japin në klasë, në lagje, në familje. Në momentin që fillon cikli menstrual ti je një femër e formuar që je gati të riprodhosh. Ka shembuj në botë që 10-11 vjeçe janë bërë nëna.

Cila është mosha e duhur për një raport seksual?

Jakaj: Këtë pyetje më ka bërë një vajzë 13-vjeçare. Unë i thashë, të keqen zysha, dashuria në moshën tënde duhet të jetë platonike, e bukur si në libra, si në poezi por jo me kontakt fizik sepse është shumë shpejt në moshën 13-vjeçare për të pasur një kontakt dhe një  marrëdhënie seksuale. Kam shkruar libra dhe kam lexuar psikologji për traumat që mund të shkaktojë një marrëdhënie seksuale. Diçka kur të shijon dhe kur të ndjell nuk mund ta shmangësh pafundësisht. Por sa më shumë ti edukojmë adoleshentët që shtyrja e kryerjes së marrëdhënies seksuale aq më mirë është për trupin e tyre. Sepse truri dhe trupi shkojnë gati në një nivel, jo totalisht. Pjekja e trurit është tek 17, 18, kur kryhet procesi i plotë i adoleshentit. Fizikisht dhe psikologjikisht nuk je gati për të pasur një marrëdhënie seksuale të shëndetshme.

Mosha ideale për tu bërë nënë

Jakaj: 21 vjeçe jam bërë unë nënë për herë të parë. Kohërat kanë ndryshuar, unë them mbi 25-26, që të kesh mbaruar dhe Universitetin. Nënat duhet ti shtyjnë sot vajzat të mbarojnë një Universitet, të krijojnë një stabilitet ekonomik për vete.

Duhet të flasim dhe për djemtë

Jakaj: Në kohën që kam dhënë mësim në gjimnaz në 2010-2011, shikoj një djalë në fundin e klasës, shumë i gjatë, që kishte tërë kohën sytë me lot. Atëherë nuk ka pasur psikologe, sot ka. E marr më vete dhe e pyes dhe shpërtheu në lot. Më tha zysha mund të besoj të them diçka? I thashë po. Më tha që kishte rënë në dashuri me një vajzë, ishte në moshën 14 vjeç e pak, kishte tentuar të realizonte aktin seksual dhe ishte bllokuar. Ishte shumë i tronditur dhe po e përjetonte në mënyrën më të tmerrshme. Shokëve nuk ua tregoj dot tha se do të më vënë në lojë, prindërve jo e jo. Mos vallë e dashura ime do më braktisë? Unë u mundova për ta qetësuar, orientuar dhe dhënë këshillat e duhura që i duheshin atij adoleshenti. Po aq sa flasim për vajzat duhet të flasim dhe për djemtë.

Vajzat gjykohen

Jakaj: Nuk është më situata që ka qenë. Unë jam prind i dy vajzave të rritura sot. Nuk e kam fare problem që vajza ime të jetë e dashuruar dhe në momentin që mbaron dashuria kjo lidhje të mos zgjasë më. Unë dua të jetë mirë vajza ime, të jetë e qetë shpirtërisht ajo, të jetë e dashuruar ajo me partnerin, botën dhe veten.

Nënat dhe baballarët që virgjërinë e promovojnë si ndershmëri

Jakaj: Nëna që flasin për një ndershmëri pa lidhje që nuk i edukon në asnjë lloj pikëpamje vajzat, i martojnë dhe i bëjnë të palumtura. Pas 3-4 vitesh janë nën dhunë ose të divorcuara. Duhen edukuar nënat dhe baballarët që këta të edukojnë këto vajza dhe djem që te kemi një shoqëri më të shëndetshme.

Vorbull informacionesh

Jakaj: Nuk mjafton informacioni në internet. Duhet të ketë libra që jepet informacion në shkollë për gjithë zhvillimin trupor, fizik dhe psikologjik të para-adoleshentit dhe adoleshentit. Psikologjia franceze e ka që në moshën 3 vjeçare. Në google ka lloj-lloj profili pedofilësh që i afrohen adoleshentit, rrezikojnë që të fusin në trurin e tyre pasoja të jashtëzakonshme. Kontrolli i internetit dhe elementëve pornografikë që ka në internet është shumë i rëndësishëm.

Këshillë për prindërit

Jakaj: Emancipim i truruit të tyre në varësi të kohës. Kohërat ndryshojnë, evolojnë. Duhet vazhdimisht ti stimulosh dhe tu rrisësh vetëbesimin duke u thënë ti je më i miri, ti di të pikturosh, di të aktrosh, je i sinqertë, unë kam besim te ty, ti do të bëhesh i mirë. Në vend që ti thuash ti nuk je askushi, ti nuk bëhesh si kurrkushi, fëmija i komshisë është më i mirë, ky del me 10-ta, ti jo. Ky është modeli më i mirë, ti jo. Mjerë unë që të kam ty etj. Ndërtoji vetëbesim dhe jemi gjithë kohës dashuri. Një njeri i rritur me dashuri dhe liri bëhet njeri i mirë.

Share With:
Translate »
113 Views