Ndryshon projektligji i Bonusit të Bebes për Emigrantët shqiptarë

Emigrantët përjashtohen nga përfitimi i bonusit të bebes. Ministria e Shëndetësisë ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë” duke përcaktuar edhe ndryshimet për përfituesit e bonusit të bebes.

Sipas këtij projektligji, shtetasit shqiptarë që nuk janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë përjashtohen nga ky përfitim financiar.

Në projektligj nuk përcaktohet se sa është numri i shtetasve shqiptarë që do të preken nga ky përjashtim dhe arsyet se përse u ndërmor ky ndryshim.

Deri më tani të gjithë familjet shqiptarë që sillnin në jetë një bebe pavarësisht se ku jetonin përfitonin mbështetjen financiare nga programi i qeverisë, i cili jepet prej vitit 2019 në Shqipëri.

Sipas vendimit të qeverisë, prindërit që sillnin në jetë fëmijën e parë përfitonin 40 mijë lekë, për fëmijën e dytë 80 mijë Lekë, dhe për fëmijën e tretë e në vijim nga 120 mijë Lekë të reja.

Mesatarisht 21 mijë foshnje në vit marrin bonusin e bebes në Shqipëri. Ndërsa që prej Janarit të vitit 2019 kur ka nisur programi i qeverisë, më shumë se 170 mijë fëmijë kanë përfituar nga ndihma financiare.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kjo mbështetje do të vijojnë për cdo cift të ri që sjell në jetë një fëmijë, e tashmë duket se emigrantët që kanë zgjedhur të jetojnë jashtë kufirit të shqipërisë, do të përjashtohen nga kjo mbështetje.

Share With:
Translate »
72 Views