‘Nëna’ nga Ismail Kadare! Një nga poezitë më të fuqishme shqiptare

Poezi nga Ismail Kadare

Në mbrëmje u kthye ai në shtëpi
i lodhur, i ngrysur, me traktet në gji.

Mesnatës së shurdhër, së errët, së shkret’
do ngjisë ai traktet kudo në qytet.

-Mesnatës ti sonte, o nënë, më zgjo!
-Mir’, biri nënës, fli, bir! – tha ajo.

Ai si i vdekur ne gjumë ra pastaj
dhe nëna mbi të nuk i ndan sytë e saj.

Shikon ajo traktet dhe lutet mbi të
(Fli, biri i nënës, se ora s’është një.)

Akrepi leviz, me ngadalë lëviz
pas perdesh, pas xhamash: e zezë nata pis.

Në ëndërr ai buzëqesh e po sheh,
një fushë të bukur, një qiell pa re.

Dhe nëna e tij me të bardha vallëzon,
në fushë të sahatit me dorë tregon.

Akoma akrepi s’ka shkuar në një,
ndaj nëna s’e zgjon, ndaj akoma po flë.

Por befas në fushë u dëgjua që larg
nje krismë përreth: trak a trak, trak a trak!

Dhe nëna u zhduk si në mjegull atje,
sahati i thyer seç ra përmbi dhe.

I mbytur në djersë u zgjua ai
(O nënë), dhe dorën e vuri në gji.

Atje trakte s’ka. (O nënë ku je)
Pas perdesh, pas xhamash po gdhin ditë e re.

(O nënë!), por nëna nuk është më përqark
diku mitralozi troket: trak a trak!

Diçka nëpër mendtë atij shpejt i erdh’
u hodh drejt nga porta: kuptoi e u zverdh.

Ne dor’ revolverin, në rrugën e shkret’
vrapoi n’errësirë, kudo në qytet.

(O nënë, o nënë, o nënë, ku je!!!!)
Ja, zbardhin mbi mure ca trakte atje.

Vrapon, po nuk duket gjëkundi ajo,
…(Ndal!) ndihet tek-tuk. Vrapo shpejt! Vrapo!

N’agim afër pyllit, në an’ te një përroi
pas drureve ai u mbështet e vajtoi.

…Qe biri të flinte i qetë gjer n’agim,
mesnata per nënën s’do ketë mbarim.

Share With:
Translate »
105 Views