“Në krahët e tij fluturoja”, Rajmonda Bulku ndan kujtimet si “goca e babit”

Pyetjet e gazetarëve të vegjël të programit më të dashur, “Në kurthin e Piter Pan” në Tv Klan zbuluan pak më shumë rreth së ftuarës së mbrëmjes, Rajmonda Bulkut. Pyetja e Elias e ktheu aktoren në kujtimet e fëmijërisë me të atin, lidhjen e veçantë dhe mësimet e tij.

Elia: Kur ke qenë e vogël, kush gocë ke qenë, e babit apo e mamit?

Rajmonda Bulku: Kam qenë goca e babit gjithmonë. Mamit i kam thënë ti mos u zemëro, por ajo nuk zemërohej, e dinte që babi më donte shumë, jo më shumë sesa mami por e tregonte më shumë sesa mami. Ndërsa mami ka edhe ca rregulla në shtëpi që të ul në tavolinë për t’u ushqyer ose për të larë duart ose për të shkuar në shtrat herët, për të fjetur ndërsa babi vetëm të përkëdhelte dhe të mësonte gjëra të mrekullueshme. Për shembull, mbaj mend një gjë shumë të bukur që edhe ju mund ta keni në jetën tuaj. Kur kam qenë pak më e rritur sesa ju, më pëlqente shumë që kërceja me babin dhe më ka mësuar të  kërcej vals apo tango dhe dukesha sikur fluturoja në krahët e tij, nuk e harroj këtë emocion. Baballarët janë shumë të mirë kur janë njerëz me vlera dhe me shumë kulturë. Ashtu ishte babi im. Shumë i veçantë.

Alketa Vejsiu: Çfarë s’do jepnim për një vallëzim!

Rajmonda Bulku: Çfarë s’do jepja për një vallëzim! Do të më mungojë shumë sepse vërtet, edhe kur kërceja me të, vonë, kur festonim ditëlindjet, në krahët e tij ndihesha e lirë, te njeriu më i dashur në botë.

Bulku ndau edhe disa kujtime të gdhendura me portretin e së ëmës.

“Për mamin dua të them që ka qenë një grua që kur gatuante, nga njëra anëmbante edhe librin ose bënte edhe triko shumë të bukura. Ajo është akoma një grua që rri vetëm, një grua e mrekullueshme, e bukur, e jashtëzakonshme dhe me shumë etiketë, por e përkëdhelur edhe ajo nga babi, nga ne, shumë e përkëdhelur”, rrëfeu aktorja.

Share With:
Translate »
39 Views