“Në moshën 10-vjeçare kisha mëlçinë e një të alkoolizuari”, e reja tejkalon parashikimet e mjekëve

Një studente mjekësie së cilës në moshën 10-vjeçare i thanë se kishte mëlçinë e një personi të alkoolizuar, shprehet se lundrimi ka vonuar nevojën e saj për një transplant mëlçie.

Megan McGillin nga Irlanda Veriore, u diagnostikua 11 vite më parë me cirrozë në mëlçi dhe organi i saj nuk funksionon si duhet. Sëmundjet e mëlçisë te fëmijët janë të rralla. Cirroza nuk mund të mjekohet dhe shumë prej çrregullimeve që e shkaktojnë te fëmijët nuk janë të parandalueshme.

Mjekët thonë se nuk e dinë se si iu shkaktua, por dëmi mund të bëhet kaq i madh sa mëlçia të mos funksionojë më. “Kur u diagnostikova më thanë se  në moshën 18-vjeçare do të kryeja një transplant, por ushtrohesha fizikisht. Më pas kur isha 16-17 vjeç, thanë se përfundimisht në moshën 21-vjeçare do më duhej transplanti. Kur mbusha 21 vjeç në Nëntor, nuk mora transplantin si dhuratë ditëlindjeje. Vetëm vazhdoja të jetoja kështu që ata i kanë hequr afatet e mia”.

Sëmundjet e mëlçisë si cirroza mund të shkaktojnë hipertension dhe të zmadhojnë shpretkën. Për Megan kjo do të thoshte se duhet të braktiste sportin. Por më vonë ajo nisi lundrimin me rrema dhe mori pjesë në një ekip të performancës së lartë gjatë kohës që ndiqte shkollën.

Ajo shprehet se e mbajti në formë dhe “pavarësisht se kisha vështirësi, ishte sport intensiv që më ndihmonte të isha mirë gjithë këto vite sepse trajnohesha vazhdimisht dhe kujdesesha për  organizmin”. Sipas saj, kjo është arsyeja që mëlçia ka vazhduar të funksionojë për kaq gjatë.

Shpesh mendohet se cirroza në mëlçi shkaktohet nga abuzimi me alkoolin. Ndonëse kjo mund të jetë një faktor te të rritur, te fëmijët është rezultat i një çrregullimi të mëlçisë.

Kur mjekët shpjeguan seriozitetin e sëmundjes së Megan, i thanë se kishte “mëlçinë e një të alkoolizuari”, diçka që nuk kishte kuptim për një vajzë 10-vjeçare. “Nuk kisha pirë kurrë alkool dhe nëna ime u shastis nga ideja që një mjek të më thoshte diçka të tillë”.

21-vjeçarja nuk ka konsumuar kurrë alkool dhe nuk mendon ta bëjë në të ardhmen për shkak të pasojave që do të ketë në mëlçinë e saj. Ajo jeton duke iu përshtatur disa kufizimeve në jetën e përditshme duke kontrolluar se si i shpenzon energjitë për veprimtaritë e saj.

Share With:
Translate »
72 Views