“Në muajin e nëntë të shtatzënisë kalova Covid-in”, Greis Petroviç: Isha e frikësuar për bebin

Periudha e bukur e pritjes së ëmbël e nënave është njëkohësisht edhe shqetësuese për to e sidomos në kohën ku ndodhemi, me rrezikun e vazhdueshëm të pandemisë. Greis Petroviç, e ftuara e emisionit “Rudina” në Tv Klan, tregon përvojën e saj gjatë periudhës së shtatzënisë kur iu desh të kalonte Covid-19 në muajin e nëntë.

Modelja dhe sipërmarrësja zbulon se frika ishte dominante, jo vetëm për beben, por edhe ndaj anëtarëve të tjerë të familjes.

Greis Petroviç: Ishim të gjithë me Covid dhe unë u shërova në muajin e fundit, në muajin e nëntë. Unë e kalova shumë lehtë, mamaja ime e kaloi shumë rëndë.

Rudina Magjistari: Në momentin që e mësove që ishe me Covid  si e përjetove atë moment sepse besoj duhet të jetë një ankth i madh?

Greis Petroviç: Është e çuditshme, unë e kuptova se nuk kisha asnjë shenjë, por më iku menjëherë nuhatja. I them Ilirit që sapo e kishte kaluar, “unë jam me Covid 100% sepse nuk ndiej as parfum, asgjë”. Bëra analizat dhe kur mora përgjigjen pozitive u preka, u tremba, ankth, frikë. Mora motrat, iu thashë “dola pozitiv, mos hajeni fare”. Isha me mamin, me Teftën, me Ilirin dhe Emelin në shtëpi.

Rudina Magjistari: Çfarë mendoje në atë moment?

Greis Petroviç: Kisha vetëm frikën e bebit, por në të njëjtën kohë edhe shumë merak për të dy mamatë që kishim në shtëpi se sido të jetë, më në moshë dhe kisha frikë për të tre. Thashë unë vetë do ia dal, kisha lexuar që nënat shtatzënë e kalojnë shumë lehtë dhe në fakt unë pata vetëm temperaturë 37 gradë, dhimbje koke normale dhe asgjë tjetër. Por të gjithë anëtarët e familjes pamë nga rasti më i lehtë te rasti më i rëndë.

Greis këshillon që nëse nënat shtatzënë kalojnë të njëjtën situatë, duhet të ruajnë gjendjen psikologjike. Më tej, ajo tregon se nuk ka kryer ende vaksinën për shkak të këshillës së mjekut, i cili ka rekomanduar që ta bëjë 3 muaj pas ndërprerjes së gjidhënies.

Share With:
Translate »
145 Views