Nëna e dy fëmijëve i shkruan bashkëshortit: “Avioni po rrëzohet, nëse ndodh gjë…”

Në momentin tmerrues kur avioni me 180 pasagjerë po binte pikiatë drejt detit të dielën, një nënë i dërgoi bashkëshortit atë që ajo besonte që ishte mesazhi i fundit ‘i dashurisë” për të dhe fëmijët.

Nickola Tye filmoi momentin kur u hapën maskat e oksigjenit në avionin që po fluturonte nga Ibiza për në Leeds.

Alarmi zgjoi pasagjerët që po flinin dhe kapiteni u tha të përgatiteshin për “një ulje emergjente”, ndërsa avioni po binte poshtë.

Në këto momente 39-vjeçarja i shkroi bashkëshortit për t’i thënë se e donte.

“Nuk i kisha dy fëmijët dhe bashkëshortin me vete dhe gjithçka mendoja ishte se nuk do t’i shikoja më”, tha ajo për “The Sun”.

“Avioni po rrëzohet dhe maskat e oksigjenit janë lëshuar, nëse ndodh gjë…të dua”, i shkroi ajo të shoqit.

Por fatmirësisht ky nuk do të ishte mesazhi i fundit i saj për bashkëshortin, pasi avioni u ul dhe të gjithë pasagjerët ishin mirë.

Gruaja shpjegoi se në avion kishte momente shoku, por kur avioni preku tokën e kuptuan edhe më mirë atë që kishin kaluar.

Ajo nuk ishte e vetmja që u kishte dërguar mesazhe familjarëve. Tom Miller, një tjetër pasagjer në avion u shkroi mesazhe të afërmve, përfshirë gruas së tij duke i thënë “Të dua zemër.”

Pas orë të tëra tmerri, pasagjerët e tmerruar u rikthyen në Leeds nga Barcelona, por shumë e kishin me frikë të hipnin prapë në avion.

Kompania “Jet2” fajësoi një “problem të vogël teknik” për gjithë situatën.

Share With:
Translate »
1449 Views