Nëna e hacker-it fierak të kërkuar nga SHBA: Djali s’ka kompjuter
Gjykata sot la në burg të riun Aldo Ymeraj, i cili akuzohet për krime kibernetike të kryer në dëm të shtetasve amerikanë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa i hapi rrugë edhe ekstradimit drejt Amerikës për t’u gjykuar.
Sipas hetimeve shqiptari Aldo Ymeraj, pjesë e një rrjeti hakerash ka arritur që të marrë milionë euro, por nëna e tij mohon gjithçka. “Djali im ka një gardërobë me rroba të vjetra, nuk ka rrobe firme. Nëse djali im do të kishte para, nuk do të më linte të punoja jashtë orari” thotë ajo ndërsa tregon edhe disa qindarka, për të cilat thotë se kjo është pasuria e tij.
Aldo Ymeraj ishte arrestuar edhe në vitin 2013 për pirateri kibernetike dhe në atë kohë, i ishte kërkuar t’i qëndronte larg kompjuterave, ndërsa punonte në një shtypshkronje. “Djali im nuk ka pasur kompjuter në shtëpi, që nga viti 2013” thotë nëna e tij për Top Channel. Grupi ku Aldo Ymeraj ishte pjesë ka mundur të vjedhë 530 milionë dollarë, që përvetësoheshin përmes shitjes së të dhënave të vjedhura të kartave të kreditit.