Nga Blerta Kajoshaj/ Heroinat e kohës tonë!
Mbaj mend bisedat me gjyshen time mbi çështjen e gruas Shkodrane, por jo vetëm dhe shpesh herë fjalët e saj më duken sikur përplasen në muret e zbrazëtirës së mendimeve të mija. Ekoja e zërit të saj më lidh në mënyrë të pazgjidhshme me të shkruarën jo fort të afërt të gjysheve tona, nënave e gjithë femrave të kohës së saj. Me tallje ndonjëherë i drejtohesha si makinë prodhimi fëmijësh, dhe sipas pjekurisë sime të papjekur mendoja se vërtet femra qe një makinë prodhimi dhe kaq. Po a ka qenë atëherë apo sot ky koncept diskriinues mbi gratë? Si ka ndikuar rregjimi i kohës në trajtimin e veçuar të grave në lidhje me mëmësinë dhe shtatzaninë si proces? Si ka ndryshuar dëshira e femrave mbi të qënit nënë?
*
Ditët tona vendimi për tu bërë nënë nuk është aq i lehtë sa duket. Ky vendim do të kalojë në një sitë të hollë statusesh dhe pozitash, duke filluar nga statusi i saj në familje dhe shoqëri, gjendja ekonomike, punësimi dhe karriera, e faktorë të tjerë që lidhen drejtpërdrejtë me emancipimin e gruas në shoqëri. Sa e sa femra në ditët tona vuajnë nga pozita e tyre e shtypur në familje, sa prej tyre nuk gjejnë guximin të ndalin dhunën dhe keqtrajtimet, diskriminimin gjinor dhe mbi të gjitha dhunën psikologjike që është prezente në çdo derë e familje? Tashmë këto ngjarje nuk përbëjnë lajm.
Sa femra ndihen të shtypura dhe të diskriminuara në shoqërinë që mburret me familjen si e shenjtë e patjetërsueshme, me një shoqëri që kundërshton grupimet LGBT si rrezik përmanent për zhdukjen e vlerave morale të shoqërisë tonë, dhe që femrat e arritura i quan prostituta?
Sa e sa femra detyrohen të jetojnë ekonomikisht të varura nga familja apo bashkëshorti, mes dhunës e keqtrajtimeve, mes shkeljes së të drejtave humane minimale, me diskriminimin se gruaja është për shpi dhe fëmi? Sa femra detyrohen të punojnë në kushte mizore, pa asnjë rregull etike dhe profesionalizëm, si e si të mbajnë familjen dhe fëmijët.
Sa prej tyre durojnë diskriminimin gjinor në vendet e punës, diskriminimin mbi shtatzaninë dhe rrezikun e largimit nga puna në rastet e shtatzanisë, pa mundur të ngrejnë zërin dhe të heshtin, vetëm të heshtin…
Epo kjo luftë e përditshme e jona, qëndron pas kamerave, pas radiove, pas mediave, në mungesën totale të vëmëndjes. Qëndron e kamufluar në ligjet e kodet që reklamohen pafund si përpjekje maksimale e ndryshimit të sjelljes dhe vëmëndjes ndaj gruas, qëndrojnë të thata në muret e harresës së secilit prej nesh, duke harruar se jemi pjellë e saj e në organizimet e shtirura të 8 Marsit, përpiqemi të qeshim, të jemi të hareshëm dhe të sensibilizuar teorikisht me qënien e gruas e nënës.
A më thoni vallë, pse femrat sot hezitojnë të bëhen nëna, pse në Shqipëri, çdo herë e më e zymtë duket mëmësia, pse po shkojmë drejt shterpërisë shpirtërore dhe ti privojmë vetes kënaqësinë e mëmësisë? A mos ndoshta të gjithë po kontribuojmë nga pak që të lindurit fëmijë, të shihet vetëm si një problematike në mesin e shumë të tjerave? A duhet që femra në vend që të shijojë muajt e bekuar të shtatzanisë të përjetojë tmerrin e sakrificës fizike e mendore përtej kushteve normale të punësimit, nevojën për ta fshehur gëzimin e saj nën uniformën e punës, nevojën e saj për qetësi e dashuri nën buzëqeshjen e përditshme të shoqëruar me rrullat në ballë…. /Kids’Time/