Nga çamçakëzat te pijet e skaduara për fëmijë, ushqime nga Bangladeshi në Shqipëri!
Policia ka dhënë detaje shtesë për operacionin, ku dy jordanezë u zbuluan në Tiranë, duke tregtuar ushqime false dhe të skaduara. Ushqimet dhe pijet, thuhet se ishin produkte për fëmijë, si pije ‘Robo’ në sasinë e 70 kolive ose gjithsej 10 mijë copë, që dyshohen se kanë stampë të falsifikuar, çamçakëza po ashtu të falsifikuara për datën e skadencës, me një sasi prej 250 mijë copë, si dhe lëngje të markës “Drino”, produkt i skaduar, rreth 1786 bidonë.
Në total, policia tha se janë sekuestruar 6.8 tonë produkte industriale ushqimore që të gjitha ushqime për fëmijë dhe që janë të dyshuara se janë të falsifikuara apo të skaduara.
Gjatë marrjes në pyetje të shtetasit jordanez, Jouasef Rahman, policia e krimit ekonomiko-financiar, bën me dije dëshminë e tij, ku ai justifikohet se gjithë fajet i ka pandemia, që i ndikoi në uljen e shit-blerjes dhe po ashtu tregon se mallrat kanë si vendburim Bangladeshin.
“Magazinën që kam në përdorim, e kam me mallra të ndryshëm që kanë skaduar, por ne nuk ia kemi ndryshuar datën e skadencës. Të dhënat e vulës që është gjetur në dollap, nuk janë të njëjta me stampën tek mallrat. Produktet pa datë prodhimi dhe skadence, ashtu na janë sjellë nga importi. Në magazinë ka mallra me datë skadence të kaluar, që kanë mbetur që prej muajit prill 2021”.
Jordanezi pohon për agjentët e njësisë kundër krimit ekonomiko-financiar, se ushtron aktivitetin që prej vitit 2016 dhe se asnjëherë nuk ka mbajtur mallra që u ka kaluar data e skadencës.
“Gjithashtu nuk kemi pasur aktivitet për shkak të pandemisë. Mallin e konstatuar e kemi të importuar dhe të gjitha produktet vijnë nga Bangladeshi. Ka tregtarë të vegjël që vijnë furnizohen në magazinë, por po ashtu furnizojnë edhe super markete në rrugën e Kavajës, në afërsi të Ringut, në rrugën Mysylym Shyri dhe tek Piaza’”.
I pyetur nga policia për fuqinë punëtore dhe administratën, ai shton se aktualisht nuk ka punëtorë, por përpara pandemisë ka pasur.
“Importi i fundit u bë në muajin mars 2021 dhe shitja e fundit duhet të ketë qenë në javën që kaloi ose të hënën që kaloi”, – vijon ai.
Policia bën me dije se rasti i dyshuar u zbulua nga AKU-ja që njoftoi me urgjencë se dyshohej që subjekti “Azis company” kishte mallra industrialo-ushqimorë të skaduar dhe që ishin për fëmijë.
Njësia e antikrimit ekonomiko-financiar, shton se policia mori në pyetje edhe djalin e jordanezit, i cili është student në Shqipëri. I riu insiston se nuk ka dijeni për situatën dhe se ditën kur policia e kërkoi për në komisariat, ai ishte në provim.
“Në fundjavë, shkoj për të ndihmuar babanë, ndërsa gjatë javës nuk shkoj, pasi jam me studime. Nuk kam tregtuar as në supermarket dhe as në dyqane dhe nuk kam dijeni për vulën që pyesni”, – thotë Azisur Rahman.
Policia shton se i ka kërkuar informacion drejtorisë së emigracionit për të konfirmuar nëse dy jordanezët janë apo jo me leje qëndrimi në Shqipëri, kurse të gjitha produktet do të mbahen të sekuestruara nga AKU-ja.