Nis diskutimi për heqjen e bonusit për bebet që lindin jashtë

Projektligji për heqjen e bonusit të bebes për fëmijët që lindin jashtë vendit po diskutohet në komisionet parlamentare. Këtë fillim jave në Komisioni për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, Zv/Ministrja e Shëndetësisë tha se bonusi për fëmijët që lindin jashtë ka ardhur në rritje, ndaj propozohet heqja e tij, pasi ata përfitojnë dhe pagesa në vendet ku jetojnë.

“Bonus i bebeve u vendos për të mbështetur çdo të porsalindur dhe familjet e tyre. Kjo është bërë në kuadër të rritjes së shtesës së popullsisë. Gjatë viteve 2019-2023 ne kemi ndjekur në vazhdimësi akordimin e 188 623 shpërblimeve për foshnjat e lindura brenda dhe jashtë vendit. Kemi parë se gjatë këtyre viteve është rritur ndjeshëm numri i familjeve të mbështetura që nuk janë rezidente në Republikën e Shqipërisë”.

Ky projektligj është kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët e konsiderojnë diskriminues.

Sipas Zv/Ministres së Shëndetësisë, shumica e familjeve që janë në emigracion dhe kanë përfituar pagesat për të porsalindurit janë në Greqi, Italia, Gjermani dhe Francë. Bonusi i Bebeve, hyri në fuqi në vitin 2019 dhe synonte stimulimin e lindshmërisë në vendin tonë, por të dhënat tregojnë se lindjet kanë ardhur në ulje nga viti në vit.

Gjatë vitit 2022, janë mbështetur 42,761 të porsalindur, prej të cilëve 24,504 të lindur brenda vendit dhe 18,257 të lindur jashtë vendit. Fëmijët e lindur jashtë kanë ardhur në rritje, dukë bërë që vitin e shkuar të përbëjnë mbi 42 % të fëmijëve që kanë përfituar çeqet e bonusit të bebeve. 112 milionë euro për bonusin e bebeve në katër vite.

Share With:
Translate »
100 Views