Një javë pas lindjes djali u diagnostikua me sindromën Down, nëna: Mendoja t’i dilja makinës përpara…

21 Marsi është Dita Botërore e Sindromës Down dhe”Shije Shtëpie” në Tv Klan ia ka dedikuar programin e sotëm nënave me fëmijë që  kanë këtë sindromë. Antoneta Beqiraj është bërë nënë rreth një vit më parë dhe gjatë kontrolleve rutinë të shtatzënisë nuk ishte kuptuar se fëmija që priste ishte me sindromën Down. Ajo tregon se e mori vesh  pasi Aron erdhi në jetë dhe ishte një moment me mendime të errëta për Antonetën.

Antoneta Beqiraj: Unë e mora vesh një javë pasi linda.

Katerina Trungu: Pasi linde?

Antoneta Beqiraj: Pasi linda.

Katerina Trungu: Po pse nuk të ishte bërë ky njoftim, nuk arritën ta evidentonin?

Antoneta Beqiraj: Nuk e kishin kuptuar, unë e bëra dhe ekon morfologjike dhe s’ma kuptuan që e kisha, thanë e ke shumë mirë.

Katerina Trungu: Do përbënte ndryshim për ty?

Antoneta Beqiraj: Jo. Dhe pastaj pas një jave që isha unë në maternitet sepse Aroni ka ndenjur në inkubator…

Katerina Trungu: E ke lindur shpejt, ka lindur i vogël?

Antoneta Beqiraj: Po, më thanë që duhet të bëjmë një analizë sepse dyshojmë për sindromën Down. Pasi u bë analiza, pas një muaji u mor përgjigjja dhe doli që Aroni është me sindromën Down.

Katerina Trungu: Si ishte ai moment?

Antoneta Beqiraj: Nuk di si ta përshkruaj. Një moment aq u mërzita sa thashë do t’i dal makinës përpara të më shtypë. Pastaj e mblodha veten se thashë këtë kisha kismet.

Katerina Trungu: Ndiheshe keq në njëfarë mënyre?

Antoneta Beqiraj: Ndihesha se thosha pse të më ndodhë mua, por kështu ishte e shkruar. Zoti i di më mirë.

Veç Antonetës, ishte edhe bashkëshorti i saj i cili e përjetoi fort diagnozën e djalit të tyre dhe nuk ishte e lehtë as për të.

Antoneta Beqiraj: Bashkëshorti im nuk e priti mirë, normale se as nuk e mendonte që mund të ndodhte diçka e tillë, “pse ne o Zot” thoshte, u bë shumë keq, por pastaj normalisht e mblodhi veten sepse këtë na dha Zoti, këtë do mbajmë, ky është fati jonë, ky është fëmija jonë. Por që të jem e sinqertë, të më japë 100 fëmijë të tjerë, nuk e ndërroj. Ky është më i mrekullueshmi, ky është bekim për mua.

Share With:
Translate »
106 Views