Një vit pa Françesk Radin, dedikimi i Rozanës për xhaxhain, një statujë e bronztë dhe një film dokumentar për të

Mungesa e tij ndihet kudo! Në familje, mes miqsh të ngushtë, në radhët e artistëve të respektuar dhe të devotshëm që i kanë dhënë këtij vendi kaq shumë. Përpos profesionalizmit, të tillë figura vendosin shpirtin në gjithçka bëjnë, prandaj vepra e tyre përjetësohet deri në infinit, sepse ata janë thjesht të pazëvendësueshëm. Ndarja nga jeta e këngëtarit dhe kantautorit të ndjerë Françesk Radi vetëm një vit më parë, ka lënë boshllëk tek të gjithë, e sidomos tek ata që e njohën nga afër. 365 ditë kanë fluturuar shpejt, por jo kujtimi i tij. Ai jeton mes të gjithëve, sepse për Frankon flasin tekstet e këngëve, muzika që ai ka krijuar ndër vite, hitet e suksesshme, etj. Sot, për nder të tij, janë organizuar disa ngjarje të veçanta, mes tyre është edhe ajo e statujës së bronztë e cila është vendosur në zonën e liqenit artificial në kryeqytet. Në mënyrë metaforike, ai është rikthyer tek të gjithë, ashtu i dashur, me kitarë në dorë duke u pozicionuar përjetësisht në këtë zonë të frekuentuar të Tiranës. Ka qenë mbesa e tij Rozana, e cila ka pozuar në krahë të statujës, e bashkë me të ka shkruar edhe një dedikim të ndjerë për xhaxhanë e saj.

“Pate një jetë të trazuar Franko! 1 vit pa ty si një jetë! Sot ti erdhe pikërisht aty ku e nise, me kitarën tënde përballë amfiteatrit të Tiranës, afër gjelbërimit që aq shumë e doje. Mbollëm një pemë të cilës i dhamë emrin tënd. Sot ne vazhdojmë rrugëtimin e ëndrrës tënde që edhe pse e prerë tingëlloj gjatë. Kush e njohu Frankon e deshi, kush e deshiu e qau, e kush e qau nuk i tha dot lamtumirë, por thjesht mirupafshim Mik. Mirupafshim Franko! Do takohemi një ditë”, shkruan këngëtarja e njohur.

Gjithashtu, për nder të kujtimit të vyer të tij, edhe një film dokumentar me titull “Jetë e trazuar” do të shfaqet sot pasdite në kinema Millenium, ku shumë miq, familjarë, kolegë e të afërm të kantautorit do të jenë të pranishëm për t’u njohur nga afër me copëza jete, kujtimesh dhe të pathënash nga jeta dhe vepra e tij.

Share With:
Translate »
746 Views