Njihuni me simptomat e shtatzënisë

Ndryshimet e rëndësishme anatomo-fiziologjike në trupin e gruas shtatzënë çojnë pashmangshmërisht në simptoma që njihen si simptomat e shtatzënisë. Ndryshimet më të rëndësishme janë niveli i shtuar i hormoneve, veçanërisht hormoni i quajtur gonadotropina korionike njerëzore (hCG), progresteroni, dhe estrogjeni, si dhe shtimi i peshës së organizmit për shkak të rritjes së vëllimit të gjakut, fetusit, etj.
Për shëndetin e nënës dhe fëmijës është mjaft e rëndësishme që një grua të dijë sa më shpejt faktin se tashmë ajo është shtatzënë. Kjo për shkak se organet më të rëndësishme të fëmijës zhvillohen qysh në javët e para të shtatzënisë. Nëse ju e konfirmoni sa më shpejt shtatzëninë, aq më shpejt dhe më mirë do të përgatiteni për të, në funksion të shëndetit tuaj dhe fëmijës tuaj. Në të kundërt, jeta e fëmijës rrezikohet seriozisht.
Jo domosdoshmërisht një grua mundet të mësojë që në momentin e parë se është shtatzënë.
Vetëm pak gra e dinë që ato janë shtatzënë qysh në momentin e ngjizjes. Të tjerat mësojnë se janë shtatzënë vetëm kur evidentojnë ndërprerjen e menstuacioneve. Më shumë se të mirëinformuara në fushën e riprodhimit, ato arrijnë që me intuitë të dinë se kur janë shtatzëna, madje të përcaktojnë saktësisht edhe momentin e saktë kur ndodhi ngjizja.
Për shumicën e grave, periudha e hershme e shtatzënisë kalon pa u kuptuar nga ato, edhe pse simptomat kanë filluar të shfaqen. Nëse shfaqen, ato duhet të përkthehen se çfarë duan të thonë.
Simptomat nuk shfaqen rregullisht tek çdo grua. Madje edhe tek një grua shfaqen simptoma të ndryshme nga një shtatzëni në tjetrën. Duke pasur parasysh kohën kur ato shfaqen, simptomat e shtatzënisë mund të klasifikohen si simptomat e hershme të shtatzënisë dhe simptomat gjatë maturimit të shtatzënisë.
Simptomat e hershme të shtatzënisë janë më pak të dukshme dhe zhduken me kalimin e kohës, kurse simptomat gjatë maturimit të shtatzënisë janë simptoma të dukshme dhe shfaqen zakonisht deri në lindje.

Cilat janë simptomat e shtatzënisë?
Lodhja dhe Dobësia. Lodhja dhe dobësia e përgjithshme konsiderohen një nga simptomat hershme të shtatzënisë dhe kjo zakonisht vazhdon deri në muajin e tretë. Pas muajit të tretë do të ndjeheni energjike dhe e relaksuar, ashtu sikurse më parë. Kjo gjendje do të vazhdojë deri në muajin e shtatë kur lodhja dhe dobësia do të shfaqen përsëri, por për shkaqe të tjera. Fetusi është rritur shumë dhe trupi duhet të përballojë një peshë ekstra, gjë që çon në lodhje dhe dobësi. Kjo është e shpeshtë dhe fillon qysh në mëngjes. Sapo zgjohesh dhe ngrihesh nga shtrati, e ndien veten të lodhur dhe pa entuziazëm. Lodhja dhe dobësia ju shoqërojnë gjatë gjithë ditës. Kjo simptomë shfaqet me dëshirën për të fjetur gjatë gjithë ditës dhe shkaktohet nga nivelet e shtuara të progresteronit. Në disa raste, këto hormone mund të krijojnë efektin e kundërt, duke krijuar pagjumësi gjatë natës.
Një arsye tjetër e lodhjes mund të jetë edhe niveli i ulët i sheqerit në gjak. Gjatë shtatzënisë, organizmi harxhon më shumë energji për shkak të nevojës për rritje dhe zhvillim të fetusit dhe kjo shkakton rënie të sheqerit në gjak.
Gruaja shtatzënë duhet t’i kushtojë më shumë kohë dhe vëmendje relaksit. Pushimet duhet të jenë më të shpeshta. Gjatë ditës gruaja shtatzënë duhet të qetësohet dhe të flejë në drekë.
Por jo të gjitha gratë mund ta kenë këtë simptomë. Edhe pse kjo është një siptomë që prek shumicën e grave, një pjesë prej tyre mund të mos ta kenë një simptomë të tillë.

Urinimi i shpeshtë 
Gruaja shtatzënë ka nevojë të urinojë shpesh dhe kjo simptomë, që cilësohet si simptomë e hershme, shfaqet duke filluar nga java e dytë ose e tretë e shtatzënisë. Kjo ndodh sepse mitra fillon të zgjerohet dhe ushtron presion mbi fshikëzën e urinës. Rreth javës së 14-të mitra ngrihet lart në bark, duke e reduktuar këtë simptomë deri në javën e fundit të shtatzënisë, kur koka e fëmijës ulet poshtë në mitër dhe shkakton përsëri presion në fshikëz.
Përveç kësaj, niveli i shtuar i progresteronit në gjak stimulon muskujt e fshikëzës edhe pse fshikëza mund të mos jetë e mbushur dhe në këtë mënyrë, muskujt e saj vihen në lëvizje.
Arsyeja e tjetër që ndikon në urinimin e shpeshtë gjatë shtatzënisë është rritja e sasisë së gjakut dhe si pasojë, rritet nevoja e organizmit për të filtruar këtë gjak.
Gjatë muajve të fundit, atëherë edhe kur mitra është rritur shumë dhe presioni mbi fshikëzën e urinës është më i madh se asnjëherë tjetër, tek disa gra fillon urinimi i pavullnetshëm. Ato lëshojnë urinë kur lëvizin paksa, kolliten, teshtijnë apo qeshin. Kjo gjendje është normale dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, veç kujdesit për të mos bërë lëvizje të sforcuara.

Fryrja dhe forcimi i Gjoksit
Fryrja dhe forcimi i gjoksit është një nga shenjat e hershme të shtatzënisë. Kjo simptomë mund të shfaqet menjëherë pas ngjizjes dhe është si rezultat i ndryshimeve të shpejta hormonale. Ato mund të rriten dhe zmadhojnë numrin e tyre, duke u bërë më të rënda. Gjoksi fryhet dhe forcohet, kurse thithat e gjoksit rrumbullakosen dhe bëhen më të errëta. Rreth thithave krijohen “relieve” , ose gunga të vogla, të cilat mund të bëhen lehtësisht të dukshme. Gjithashtu, enët e gjakut bëhen të dukshme në ngjyrën blu të errët përgjatë gjithë gjoksit.
Përveç këtyre ndryshimeve, gjoksi bëhet më i ndjeshëm në prekje dhe shpesh, edhe mund të ndjeni pakëz dhimbje. Këtyre ndryshimeve, gruaja shtatzënë duhet t’i përshtatet duke rritur numrin e sytjenave.

Dhimbje Barku
Dhimbjet e barkut janë një nga simptomat e hershme më të zakonshme të shtatzënisë. Ndryshimet e mëdha që fillojnë të ndodhin në trupin tuaj i japin shpesh gruas shtatzënë dhimbje barku. Këto dhimbje janë të ngjashme me dhimbjet gjatë menstruacioneve kur ju keni sindromën premenstruale.
Gjithashtu, ndërmjet javës së 18-të dhe 24-t të shtatzënisë mund të ndjeni një dhimbje të mprehtë në një anë ose të dyja anët e fundit të barkut. Dhimbja mund të shfaqet edhe pranë kockës mbi organin gjenital. Kjo dhimbje shtohet veçanërisht kur lëvizni me shpejtësi apo kryeni një aktivitet fizik dhe pakësohet nëse qëndroni shtrirë. Kjo quhet dhimbja e ligamentit rrethor. Ligamentet rrethore janë tufa indesh fibroze në secilën anë të mitrës dhe lidhin pjesën e sipërme të mitrës me buzët e vaginës. Kur mitra zmadhohet në tremujorin e dytë, këto ligamente zgjaten dhe shkaktojnë dhimbje.
Kjo simptomë është krejtësisht normale dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Pas javës së 24-t dhimbja zakonisht largohet ose pakësohet në mënyrë të ndjeshme.

Dhimbje Koke
Ndryshimet hormonale shpesh japin edhe dhimbje koke. Dhimbja e kokës është nga simptomat e hershme të shtatzënisë.
Ndërprerja e Menstruacioneve. Ndërprerja e menstruacioneve natyrisht është simptoma më e rëndësishme e shtatzënisë. Kjo simptomë përbën një arsye të fortë për të bërë testin e shtatzënisë. Megjithatë, ndërprerja e menstruacioneve nuk do të thotë se ngjarja e shtatzënisë është plotësisht e sigurt. Janë edhe mjaft faktorë të tjerë që ndërpresin menstruacionet, të tilla si: mbilodhja, stresi në nivele të larta, çrregullimet hormonale, disa sëmundje, etj.

Dhimbje Shpine 
Gjatë shtatzënisë, trupi e humbet qendrën e natyrshme të gravitetit. Ligamentet zbuten, hapen dhe tendosen për t’u adaptuar dhe dhënë mbështetje zmadhimeve të mitrës si dhe muskujve rreth stomakut. Një situatë e tillë shkakton dhimbje shpine, e cila mund të vazhdojë gjatë gjithë shtatzënisë.
Deri në tre të katërtat e grave shtatzënë ankohen nga dhimbjet e shpinës. Fatmirësisht, vetëm një të katërtat e tyre janë probleme serioze që kërkojnë trajtim mjekësor.

Rritja e Temperaturës së Trupit
Kjo konsiderohet si një nga simptomat e hershme të shtatzanisë. Rritja e temperaturës së trupit është një shenjë e qartë se ju jeni shtatzënë. Temperatura e trupit rritet gjatë kohës së ovulimit. Nëse ajo nuk zbret në nivelet normale edhe për dy javë të tjera, kjo tregon se jeni shtatzënë.

Kapsllëku
Kapsllëku është një nga shenjat e hershme dhe të zakonshme të shtatzënisë që shkaktohet nga niveli i lartë i progresteronit dhe mitra e zmadhuar. Progresteroni shkon në zorrë dhe ngadalëson procesin e tretjes dhe si pasojë, edhe procesi i jashtëqitjes ngadalësohet. Kurse mitra me zmadhimin e saj krijon shtypje në zorrë, duke penguar jashtëqitjen. Kapsllëku gjithashtu mund të rëndohet edhe nga faktorë të tjerë, siç mund të jetë marrja e hekurit për shkak të ndonjë anemie në shtatzëni.

Diarreja 
Ndryshe nga kapsllëku, diarreja është një simptomë jo shumë e pranishme në shtatzëni. Disa gra vuajnë nga diarreja në fazat e hershme ose gjatë tremujorit të parë, por shpesh kjo simptomë është jetëshkurtër. Diarreja tek gratë shtatzëna mund të shkaktohet nga ndryshimi i dietës ushqimore (si pasojë e nepsit të shtuar për ushqime të ndryshme), ose prej ndryshimeve hormonale. Vëmendje duhet t’i kushtohet diarresë në rastet kur ajo shoqërohet me ethe, apo njolla gjaku në feçe. Kjo mund të jetë shenjë e diçkaje më serioze që duhet të tërheqë vëmendjen e mjekut.

Çrregullimet e shqisës së nuhatjes 
Gratë shtatzëna zhvillojnë nuhatjen si dhe kanë preferenca apo neveri të egzagjeruara për aroma të caktuara. Kjo mund të shfaqet zakonisht në fund të muajit të parë të shtatzënisë. Sipas hulumtimeve, rreth gjysma e grave shtatzëna preken nga kjo simptomë. Shmangni ato aroma për të cilat ndjeni neveri.
Çrregullimet e Shqisës së Shijes. Disa ushqime papritmas ndryshojnë shije edhe pse asgjë nuk ka ndryshuar nga përbërja dhe mënyra e tyre e gatimit. Ato ushqime që më parë ishin të preferuara, befas nuk janë më. Disa prej ushqimeve të tjera mund të neveriten. Gjithashtu, gratë shtatzëna ndiejnë një shije metalike në gojë.

Nepsi 
Shtatzënia shoqërohet edhe me nepsin për disa ushqime të veçanta. Është e këshillueshme që nepsi kur shfaqet të plotësohet, pasi ai mund të kthehet në një mani që rrezikon për komplikacione gjatë shtatzënisë. Nepsi mund të kontrollohet vetëm me shmangien e pamjeve dhe aromave të ushqimeve, gjë që është e domosdoshme të kryhet.

Çrregullimet Emocionale
Gjatë muajve të parë të shtatzënisë, për shkak të hormoneve të shtuara, gruaja pëson lëkundje të shpeshta të humorit dhe gjendjes emocionale. Në disa gra, çrregullimet emocionale mund të jenë aq të mëdha, saqë tek to mund të shfaqet edhe “depresioni i shtatzënisë”.

“Sëmundja e Mëngjesit”
Ndjenja e përzierjes në stomak dhe të vjellët janë pagëzuar me këtë emër për shkak të kohës kur zakonisht këto ndodhin – në mëngjes. Por megjithëse ka marrë emrin “sëmundja e mëngjesit”, përzierja dhe të vjellët mund të ndodhin në çdo çast të ditës.
Këto simptoma janë të pranishme tek 75% e grave shtatzëna gjatë tremujorit të parë, kurse më pas ato lehtësohen. Shkaqet e këtyre simptomave janë të panjohura, por shumë shkencëtarë mendojnë se ato janë të lidhura me nivelin e hormonit hCG në gjak.
Edhe në rastet kur keni vetëm ndjesinë e përzierjes pa u shoqëruar me të vjella, kjo ndjenjë është mjaft e pakëndëshme. Këto simptoma nuk janë të rrezikshme për ju dhe për shëndetin e fëmijës tuaj nëse nuk janë të shpeshta. Pesha optimale që duhet të shtoni për tremujorin e parë është vetëm 2 kg. Por, edhe nëse humbisni në peshë, kjo nuk përbën ndonjë problem të madh në shtatzëninë e hershme – shumë grave u ndodh kjo.
Por nëse shpesh shoqërohet me të vjella deri në gradën që nuk arrini të mbani ushqimet dhe lëngjet, atëherë duhet patjetër të kryeni një vizitë mjekësore. Të vjellët çojnë në dehidratim, mungesë të lëndëve ushqimore, dobësim të organizmit, rënie të imunitetit të trupit, gjendje të fikëti, etj.

Rritja e sasisë së Pështymës
Gjatë gjysmës së parë të shtatzënisë mund të shfaqet një simptomë që quhet “ptializëm”. Ptializmi është shtimi i sasisë së prodhuar të pështymës, e cila shfaqet me disa karakteristika, si: shije e hidhët e pështymës, trashje e gjuhës dhe enjtje e faqeve për shkak të zmadhimit të gjendrave të pështymës.
Ptializmi është më i zakonshëm tek gratë shtatzëna që kanë “sëmundjen e mëngjesit”.

Ulja e nivelit të Sheqerit në Gjak
Për shkak të rritjes së aktivitetit të organizmit, por edhe nga ndalesa e ushqimeve si pasojë e ndjenjës së pakëndshme të përzierjes në stomak, niveli i sheqerit në gjak bie. Mungesa e sheqerit është një anomali që duhet pasur në konsideratë për shkak të pasojave që ajo jep. Për këtë arsye, është e këshillueshme që vaktet e ushqimit të merren në porcione të vogla dhe sa më shpesh. Në këtë mënyrë eleminohen në një masë të madhe përzierjet dhe të vjellat. Mos harroni gjithashtu edhe përdorimin e lëngjeve.
Vështirësi në Frymëmarrje. Vështirësia në frymëmarrje vjen nga mosngopja e organizmit me frymë. Progresteroni rrit ritmin e frymëmarrjes duke krijuar vështirësi në ngopjen e organizmit me oksigjen. Nga ana tjetër, kërkesa e organizmit për oksigjen është më e madhe, pasi fetusi thith një pjesë të tij dhe vështirësia në frymëmarrje rritet me zmadhimin e tij. Ai ushtron presion mbi diafragmë dhe mushkëri duke mos lejuar funksionin normal të tyre.
Kjo simptomë është mjaft e zakonshme. Rreth dy të tretat e grave shtatzëna ankohen nga mbajtja e frymës.
Marramendja. Ndjenja e marramendjes është e zakonshme në shtatzëni. Në stadet e fillimit, marramendja mendohet se ndodh për shkak të rritjes së fluksit të qarkullimit të gjakut nga prania e shtuar e hormoneve, kurse më vonë mendohet se marramendja shkaktohet nga rritja e fluksit të gjakut prej presionit që shkakton mitra në enët e gjakut.
Marramendja mund të jetë edhe si pasojë edhe e uljes së nivelit të sheqerit në gjak, rënie e presionit të gjakut ose ngritje e menjëhershme e tij dhe nxehtësia e tepruar.

Të Fikëtit
Të fikëtit është një simptomë e rrallë në shtatzëni. Të fikëtit mund të shkaktohet nga rënia e fluksit të gjakut në tru. Të fikëtit është një simptomë që nuk e dëmton fëmijën, megjithatë, duhet që në rast se kjo simptomë shfaqet, duhet të vihet menjëherë mjeku në dijeni, për shkak se të fikëtit mund të jetë një shenë e një anemie të rëndë.

Gazrat në Traktin Tretës
Nivelet e larta të progresteronit bëjnë të mundur depozitimin e ujrave në trup si dhe muskujt e aparatit tretës të relaksohen dhe ngadalësohen. Këto pasoja sjellin ngadalësimin e procesit të tretjes. Ky ngadalësim sjell rritjen e sasisë së gazrave në zorrë, duke krijuar një gjendje të padëshiruar me fryrje të barkut dhe gurgullima të zorrëve. Për të shmangur këto ndërlikime, mos hani ushqime në sasi të mëdha, por hani pak dhe shpesh.

Sekrecionet Vaginale 
Gjatë shtatzënisë janë vërejtur si një dukuri e shpeshtë dhe normale sekrecionet vaginale. Kjo situatë është normale gjatë shtatzënisë dhe duhet të pritet. E rëndësishme është që të identifikoni natyrën e këtyre shkarkimeve, pasi ato tregojnë shumë. Ato mund të identifikojnë probleme gjatë shtatzënisë, ose të konfirmojnë se shtatzënia po shkon në rregull. Në një situatë normale, sekrecionet më së shumti e kanë origjinën nga prodhimi i mukusit vaginal, i cili shërben si një mbrojtje e fetusit nga infeksionet. Lëngjet e sekretuara mund të jenë të rrëshqitshme dhe të ujshme, ose mund të vijnë si një masë kremoze me ngjyra kafe, të bardha, ose të verdha. Gjithashtu, e rëndësishme është që të identifikoni erën e tyre. Nëse ato kanë një erë të lehtë dhe të pandieshme, janë normale, por nëse ato mbajnë një erë të rëndë, kjo është një shenjë e infeksionit dhe duhet të bëni sa më parë një vizitë mjekësore.
Sekretimet të bardha si qumësht janë sekretimet më tipike të shtatzënisë dhe shkaktohen nga rritja e nivelit të hormoneve dhe e sasisë së gjakut në qarkullim. Ato nuk kanë erë, ose mund të mbajnë një erë mjaft të lehtë. Ky lloj sekretimi është mjaft i ndryshëm nga të gjitha sekretimet e mëparshme dhe është shenjë e shtatzënisë dhe duhet t’ju nxisë për të bërë një test të shtatzënisë.
Sekretimet me ngjyrë të verdhë janë po aq e zakonshme sa sekretimet me ngjyrë të bardhë. Nëse këto sekretime nuk shoqërohen me erë të rëndë, ato janë normale, por nëse ato mbajnë një erë të rëndë dhe të fortë, kjo është një shenjë e komplikacioneve të shtatzënisë. Një ngjyrë e verdhë në të gjelbër, sidomos kur shoqërohet me kruajtje vaginale, tregon për infeksionet vaginale si kandidoza, trikomonoza apo klamidia. Këto sëmundje japin komplikacione të rënda të shtatzënisë, si lindje të parakohshme, vështirësi në procesin e lindjes e deri dështim.
Sekretimet ngjyrë kafe janë simptomë e hershme e shtatzënisë dhe ndodh pas ngjizjes në një pjesë të konsiderueshme të grave shtatzëna. Ajo jep lajmin e mirë se ngjizja është realizuar. Nga pikëpamja anatomo-fiziologjike, lëngu ngjyrë kafe nuk është gjë tjetër, veçse oksidimi i një sasie të vogël gjaku e cila shkaktohet nga vendosja e vezës në mitër. Nëse ngjyra është e hapur, nuk ka vend për alarm, por në sasi të madhe dhe me sekretime të shpeshta, lëngjet kafe janë shenjë e një aborti.

Gjakderdhja Vaginale
Ndonjëherë gruaja shtatzënë mund të vërejë gjakderdhje vaginale. Kjo ndodh sepse qafa e mitrës gjatë shtatzënisë është mjaft delikate dhe dëmtohet lehtë nga shtypjet që mund të ushtrohen mbi të si dhe nga marrëdhëniet seksuale. Gjakderdhja mund të shoqërohet nga një dhimbje e lehtë dhe shpesh ngatërrohet me perioda të parakohshme.
Gjakderdhjes duhet t’i kushtohet vëmendje. Edhe shtatzënia ektopike (shtatzënia jashtë mitre) mund të shoqërohet me gjakderdhje. Nëse gjakderdhja është me origjinë nga mitra, kjo mund të jetë pasojë e një dështimi dhe kërkon një asistencë të menjëhershme mjekësore.

Gjakderdhja nga Mishrat e Dhëmbëve
Gjakderdhja nga mishrat e dhëmbëve nuk është një simptomë e shpeshtë e shtatzënisë. Megjithatë një numër grash shtatzënë kanë lajmëruar mjekun për këtë simptomë. Ashtu si në mjaft simptoma të tjera të shtatzënisë, edhe gjakderdhja nga mishrat e dhëmbëve shkaktohet nga rritja e nivelit të progresteronit. Në këto kushte, është e këshillueshme që gratë shtatzëna me këtë simptomë të kenë kujdes nga përdorimi i furçës së dhëmbëve.

Djegia e stomakut
Nga fundi i shtatzënisë shpesh shfaqet një djegie në pjesën e sipërme të stomakut, pranë sternumit (kockës së gjoksit). Djegia në stomak është rezultat i aciditetit të stomakut, e cila vjen nga poshtë-lart nëpërmjet ezofagut.
Djegia e stomakut në shtatzëni vjen për dy arsye: së pari, ngadalësimi i procesit të tretjes si pasojë e progresteronit të shtuar shkakton aciditet të lartë dhe së dyti, progresteroni relakson dhe qetëson muskujt, duke bërë që muskujt e sfinkterit të mos bllokojnë plotësisht acidet që ngjiten në ezofag.

Rrjedhja dhe bllokimi i hundëve 
Rritja e sasisë së progresteronit dhe estrogjenit provokon një fluks më të madh gjaku në trup, duke bërë që indet e hundës të enjten. Kjo mund të sjellë në bllokim ose mbiprodhim të mukozës së hundës. Trashja e indit të hundës vazhdon gjatë gjithë shtatzënisë për t’u kthyer në normalitet pas lindjes.
Ëndërrat gjatë Natës. Gjatë shtatzënisë, shumë gra pohojnë se shikojnë shpesh ëndërra gjatë natës në lidhje me shtatzëninë dhe foshnjën. Nuk ka asnjë shpjegim bindës për këtë dukuri që ndodh shpesh gjatë shtatzënisë.

Pagjumësia
Pagjumësia është një dukuri e zakonshme në shtatzëni, sidomos gjatë muajve të fundit. Kjo shkaktohet nga katër arsye: së pari, ankthi i justifikuar për lindjen e fëmijës, i cili është prezent, sidomos afër lindjes; së dyti, masa e shtuar e trupit shkakton parehati në të fjetur dhe kjo për shumë gra përbën një sfidë reale; së treti nga niveli i shtuar i hormoneve dhe së katërti, problemet me djegiet e stomakut, urinimet e shpeshta dhe mostretja janë faktorë që ndikojnë në pagjumësi.

Fryrja e Trupit
Fryrja e trupit, që njihet me termin “edemë”, vjen si pasojë e akumulimit të lëngjeve në trup. Edema është një dukuri normale dhe mjaft e zakonshme që prekin tre të katërtat e grave shtatzëna. Zakonisht edemat shfaqen në këmbë, duar gishta dhe kyçe. Ajo është më e dukshme në fund të ditës, pas një qëndrimi të zgjatur ulur dhe pa lëvizje, si dhe në një kohë të ngrohtë. Në rastet e fryrjeve, duhet të njoftoni mjekun pasi ato mund të jenë edhe simptomë e eklampsisë, e cila ka nevojë për trajtim mjekësor.

Venat Varikoze
Venat varikoze janë të shpeshta në shtatzëni. Ato shfaqen në këmbë, anus (krijimi i hemorroideve), dhe nganjëherë në vulvë. Venat varikoze shkaktohen nga presioni që shkakton mitra mbi venat në zonën pelvike, duke bërë që gjaku të depozitohet në vena. Kjo shkakton zgjerimin e tyre. Obeziteti është një faktor ndihmës për venat varikoze, ashtu sikurse trashëgimia.
Normalisht, venat varikoze mund të zhduken pas lindjes dhe vetëm në një numër grash nuk zhduken plotësisht. Ato zakonisht nuk shkaktojnë dhimbje, por në rastin e hemorroideve, mund të jenë vërtet të dhimbshme dhe në këto raste, ndërhyrja e mjekut specialist është e domosdoshme.
Hemorroidet në shtatzëni shkaktohen nga presioni që shkakton mitra mbi enët e mëdha të gjakut të zorrës së trashë. Shtypja që ajo krijon si dhe progresteroni, i cili i lëshon venat bëjnë që ato të enjten dhe zmadhohen, duke u kthyer në vena varikoze.
Kjo simptomë nuk është e rrallë në shtatzëni. Edhe nëse arrini t’i shmangni hemorroidet gjatë shtatzënisë, ato me shumë mundësi mund të shfaqen gjatë procesit të lindjes.
Edhe pse hemorroidet shoqërohen me gjakderdhje, gjakderdhja nuk është e dëmshme nëse është me sasi të pakët. Por nëse gjakderdhja është e shpeshtë dhe me sasi të shtuar, është e rëndësishme të flisni me një mjek specialist, aq më tepër nëse këto hemorroide shoqërohen me dhimbje.

Ngërçet
Ngërçet në këmbë ndodhin më shpesh gjatë përparimit të shtatzënisë. Ato zakonisht fillojnë gjatë kohës kur gruaja gjendet në shtrat dhe trupi ka rënë në qetësi. Ka mjaft hipoteza për këtë dukuri, por jo plotësisht bindëse. Shumë mjekë I lidhin me nivelin e ulët të magnezit dhe kalciumit; disa me problemet e qarkullimit të gjakut, sidomos gjatë qëndrimit ulur, kurse të tjerë e shpjegojnë me depozitimin e lëngjeve në këmbë.

Të pasurit e simptomave të tilla nuk ju siguron 100% se jeni shtatzënë. Mjaft simptoma mund të jenë të lidhura me kushte të tjera shëndetësore. Vetëm testet e shtatzënisë janë ato që e vërtetojnë një gjë të tillë, kurse simptomat, përveç të tjerash, shërbejnë si indicie për t’u drejtuar tek mjeku. Sa më shpejt, aq më mirë.
Nga ana tjetër, mos u shqetësoni nëse nuk i keni të gjitha simptomat e shtatzënisë. Në fakt, ju mund të mos keni asnjë simptomë, por megjithatë jeni shtatzënë. Problem është nëse ju jeni shtatzënë, shfaqni simptoma dhe papritmas, ato zhduken. Kjo është shenjë se shtatzënia nuk po shkon si duhet.

Share With:
Translate »
18982 Views