Nuk arriti dot deri në maternitet, gruaja shtatzënë lind me sukses te Trauma
Një grua shtatzënë është paraqitur në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës për të marrë ndihmën e parë mjekësore, si struktura më e afërt spitalore, ku më pas ka kryer edhe lindjen, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale këtë të enjte.
Sipas raportimeve, pas kësaj situate, stafi mjekësor i SUT ka njoftuar dhe është koordinuar me ekipin mjekësor të Maternitetit “Koço Gliozheni”, ndërkohë që ka ndihmuar në ofrimin e menjëhershëm të kujdesit të nevojshëm për nënën dhe përgatitjen për lindjen.
Falë ndërhyrjes në kohë, koordinimit ndërinstitucional dhe bashkëpunimit të ekipeve mjekësore, nëna dhe i porsalinduri gëzojnë shëndet të plotë.
Edhe pse Spitali Universitar i Traumës është një strukturë e specializuar në trajtimin e pacientëve me trauma, ky rast dëshmon se prioritet mbetet gjithmonë shëndeti i pacientit dhe ofrimi i ndihmës në kohë, në përputhje me protokollet mjekësore.