Nuk dua të jem princeshë. Unë dua të punoj!
Prej shumë kohësh, vajzat janë mësuar të ëndërrojnë të bëhen princesha, por nisma e Beckie Thompson ka vendosur ta ndryshojë këtë gjë. Nxitur nga dëshira e vajzës së saj për t’u bërë pilote dhe jo një princeshë, Thompson ka nisur fushatën “Nuk dua të jem princeshë”, e cila ka për synim mësimin dhe edukimin e vajzave të reja për të bërë karrierë. Këtë gjë Thompson po e bën duke krijuar bluza me mbishkrime që synojnë t’i ndërgjegjësojnë vajzat. “Të qenit princeshë nuk është një shembull apo karrierë për t’u ndjekur. Është thjesht një mbiemër që ua ngjisim vajzave. Unë personalisht do t’i vendosja një mbiemër më të mirë”, – ka thënë Beckie Thompson për “Huffington Post”. Thompson ka krijuar edhe një faqe në internet ku tregon “lavditë” e femrave që nuk kanë ëndërruar për princin e kaltër, fustanet me xixa apo për këpucën e kristaltë si: Amelia Earhart, Rosa Parks, Marie Curie dhe Jane Goodall.