“Nuk kisha bukë t’u jepja fëmijëve për darkë”/ Gruaja e divorcuar rrëfen historinë rrëqethëse me ish-burrin…

Kur Fariha (emër i ndryshuar me kërkesën e gruas) u divorcua me pajtim, ish- bashkëshorti i saj emigrant sezonal në Greqi u ngarkua që të paguante për secilin nga fëmijët 8 mijë lekë të reja.

Por, ai i pagoi vetëm vitin e parë mbas divorcit, dhe dy muajt e parë të 2020.

Më pas, ai nuk iu përgjigj as në telefon, pa i lënë zgjidhje tjetër 33 vjeçares, veçse t’i drejtohej edhe njëherë gjykatës.

“Përmes kunatës më njoftonte se s’kishte asnjë mundësi, se ishte i mbytur në borxhe dhe se nga pandemia kishte mbetur pa punë. Por fëmijët tanë duan të ushqehen, provova shumë punë e megjithatë ishte e pamundur të përballohej edhe qiraja edhe dritat dhe ushqimi”, i tregoi Gazetasi.al gruaja nga Librazhdi por që jeton në zonën e ish Kombinatit në Tiranë.

Pandemia

Në një nga ditët kur përpiqej ta zgjidhte çështjen me njerëz, miq të përbashkët nga fisi, ajo takoi në hyrje të gjykatës civile një nga avokatet që shteti ofron falas.

“Isha e painformuar dhe nuk e kisha idenë se burri nëse shmangej nga përgjegjësia, unë kisha të drejtë të ankohesha. Ma tha një avokate”

Dhe Fariha ashtu veproi. Pa hezituar nxori dokumentet për dy fëmijët nën moshë dhe nisi betejën ligjore.

“Mund të ketë qenë Covid që e la pa punë, e besoj këtë sepse këtë thoshte kunata. ‘Covidi e mbylli brenda’ thoshte. Por ‘mbeta njësoj pa punë dhe besona ishim pa bukë për darkë’. Por ajo që më nxehu ishte shmangia. Nuk po pyeste më, kush do i ushqente këta fëmijët tanë, kush do i vishte dhe kush do u siguronte çdo gjë tjetër. Nuk hapte më telefonin”, rrëfen për Gazetasi.al nëna e dy fëmijëve.

Hetimi

Prokuroria thotë jo zyrtarisht se rastet e denoncimeve për mos dhënie të mjeteve për jetesë nga 2020 dhe deri në 2021, u rritën me 10%.

Ky afat përkon me kohën e shpalljes së pandemisë që një nga efektet që shkaktoi ishte edhe papunësia.

“Në mjaft raste burrat e kundërshtojnë gjyqësisht urdhrin e gjykatës për detyrim ushqimor në favor të fëmijëve të mitur, por ankimimet e tyre nuk pranohen”, pohoi zyrtarisht një gjyqtar i Gjykatës së Apelit që shtoi se praktika që ndiqet është përherë në favor të të miturve, dhe prindërit, pavarësisht mungesës së punës apo të të ardhurave, duhet të mbajnë përgjegjësi.

Madje sipas juristëve ligji e mbron fëmijën edhe kur ai kalon moshën 18 vjeç, pasi detyrimi dhe përgjegjësia referuar ligjit e detyron prindin të paguajë shpenzimet për të edhe kur ai mbaron shkollën e mesme dhe të lartën deri në moshën 25 vjeç.

Gjyqe dhe gjoba

Megjithatë mos dhënia e mjeteve për jetesë që shmangen kryesisht nga baballarët është një fenomen që ndeshet edhe para pandemisë, ndonëse jo kaq shpesh sa nga 2020 e në vazhdim.

Në një nga dosjet që ju vendos në dispozicion Gazetasi.al një 45 vjeçar shpëtoi nga dënimi i dytë pasi sipas gjykatës nuk mund të dënohej dy herë për mos pagesë detyrimesh ndaj fëmijëve.

U zhvilluan katër seanca për zgjidhjen e çështjes me pajtim, kjo për t’i dhënë kohën e nevojshme palës që të ndërgjegjësohej për gjithë detyrimet.

Por konflikti nuk u zgjidh me pajtim.

Babai me inicialet G.B , nuk pranoi të paguante detyrimin e prapambetur për të cilin më herët një gjyqtare tjetër e kishte dënuar me 6 muaj burgim.

“Nga kërkimet e bëra nga përmbaruesi gjyqësor, ka rezultuar se i akuzuari G. B. nuk ka asnjë pasuri të luajtshme apo të paluajtshme në emër të tij“, thuhet në konkluzionet e gjykatës e cila kujton se shtetasi në fjalë kishte tentuar të siguronte një punë, por përpjekjet e tij nuk u finalizuan me sukses

Çifti ishte në betejë ligjore që prej 2013. Menjëherë sapo u finalizua divorci në gjykatë, në 2016 burri u shpall fajtor për mos pagim detyrimesh.

Gruaja ju drejtua përmbarimit për ekzekutimin e detyrueshëm por ai rezultoi se nuk kishte asnjë llogari bankare dhe as të ardhura të tjera.

Më pas ajo i kërkoi gjykatës të ridënohej, por trupa gjykuese vlerësoi se nuk mund të dënohej dy herë për të njëjtin akt

A i zhdukin burrat pasuritë që mos të paguajnë fëmijët?

A.L ( iniciale të ndryshuara) nga Tirana dhe me banim të përhershëm në Greqi u tregua aq kokëfortë përballë kërkesave të ish gruas sa edhe kur u vunë në kërkim të tij, autoritetet greke ju përgjigjën atyre shqiptare se “ është e pamundur në gjejmë adresën e tij”.

Ai duhet të paguante për fëmijët gjithsej 756 mijë lekë të reja, por A.L nuk iu përgjigj asnjëherë detyrimeve ligjore për fëmijët e vegjël

Përmbarimi kthehej duarbosh, mbasi ai nuk rezultonte më as pronar i shtëpisë në të cilën çifti kishte jetuar

Sipas verifikimeve, shtëpia i ishte dhuruar pa shpërblim të afërmve të burrit dhe gjykata (në këtë rast) nuk mund ta kalonte në emër të gruas

Tjetërsimi i pasurisë ndodhi, sipas gjykatës, mbasi shtetasi në fjalë pati frikë se mos përmbarimi ndërhynte përballë indiferencës së tij për të rritur fëmijët

“Ai ka nxituar ta bëjë një gjë të tillë duke u përfaqësuar nga vëllai i tij, për të mos humbur kohë dhe për të mos rrezikuar vënien nën masën e sekuestros konservative nga përmbarimi të kësaj pasurie të paluajtshme. Në këtë apartament jetojnë aktualisht prindërit e tij” , tregon gruaja e cila për vite me radhë i rriti e vetme fëmijët

Investimi i gjykatës për ta njoftuar këtë shtetas në Greqi rezultoi i pafrytshëm pavarësisht dhjetëra denoncimeve të shtetates N. L e cila kërkoi që kjo çështje nga civile të kthehej në penale.

Në përfundim, gjykata e dënoi shtetasin A.L me 3 milionë lekë të vjetra gjobë, të cilat i shtohen detyrimeve të tij të mëhershme që ka për fëmijët

Share With:
Translate »
140 Views