Nuk lindnin djem, Françeska tregon historinë e prindërve: Iu thoshin ngjitja emrin Sose, të shuhen vajzat

Fëmijët janë gëzimi më i madh që mund të bekohet një çift, por për prindërit e Françeskës vërtitej një re e zezë rreth kësaj lumturie. Për të na treguar historinë e tyre, ajo  ka ardhur posaçëristh nga Italia në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E diela shqiptare” në Tv Klan. Babai i Françeskës është rritur pa nënë pasi i ndërroi jetë që kur ai ishte 4 vjeç. I ati u rimartua dhe krijoi një familje më të madhe e ai ishte gjithnjë i lënë pas dore.

Kur krijoi familjen e tij, fëmija i parë lindi vajzë, e më pas i dyti po ashtu e më tej i treti. Fëmija është gëzim, por në një fshat të Pukës, vajza nuk trashëgon asgjë, vajza është tragjedi ose të paktën kështu thoshin njerëzit.

Ardit Gjebrea: Çfarë thoshin?

Françeska: Çfarë nuk thoshin. Ka pasur shumë raste që i kanë thënë “duhet ta ndash gruan të marrësh një tjetër sepse kjo nuk po lind djalë”. Kur lindi motra ime e katërt, i thanë “ngjitja emrin Sose që të sosen vajzat”, sepse ishte tragjedi të lindnin vajza.

Ardit Gjebrea: Kush e thoshte këtë gjë?

Françeska: Familjarët tanë, pjesa tjetër. Ka pasur raste që kanë këmbëngulur që babi të hiqte dorë fare nga pjesa e tokave sepse vetëm ata që ishin pjesë e familjes tjetër mund t’i trashëgonin.

Ardit Gjebrea: Pra, vajzat nuk duhet të trashëgonin asgjë?

Françeska: Vajzat nuk duhet të trashëgonin asgjë. Realiteti atje ishte shumë i ashpër. Ne kemi parë fëmijë që rriheshin, shkelte një bimë, rrihej. Babai im në këtë gjë ka bërë gjithnjë diferencën. Nuk lejonte asnjë njeri që të na rrihte. “Fëmijët janë të mitë, nuk ka problem që kam shumë fëmijë nuk duhet të m’i prekni me dorë”. Mamin dhe babin, e vetmja gjë që i ka mbajtur fort ka qenë dashuria dhe respekti për njëri-tjetrin. Kam pasur fat shumë të mirë në jetë që asnjëherë nuk i kam parë prindërit e mi duke u zënë e rrahur siç shihnim shumë aty afër.

Françeska është vajza e pestë. Pas vajzës së gjashtë, në familjen e tyre lindën dy djem duke u bërë kështu një familje e madhe.

Share With:
Translate »
208 Views