Oficerja e sigurisë tregon bisedën me Mario Përlleshajn dhe Martin Canin para vrasjes
Oficerja e sigurisë Jetmira Kuka ishte në listën e tre dëshmitarëve që kishin dijeni mbi konfliktet mes nxënësve të shkollës “Fan Noli”, mbyllur tragjikisht me vrasjen e Martin Canit.
Në seancën e radhës mbajtur me dyer të mbyllura për shkak se viktima dhe autori janë nën moshë, dëshmitarja tregoi se ishte vënë në dijeni për grindjen verbale mes fëmijëve nga mësuesja Klodiana Saliasi që i kishte treguar se disa nxënës kishin folur me tone të larta.
Oficerja kujtoi se pas orës së gjashtë të mësimit ishte njoftuar për ngjarjen e rëndë, dhe kishte parë se si një makinë po transportonte në spital Martinin e vogël. Oficerja pranoi që tre ditë para vrasjes, oficeri i bashkisë Fatmri Guri e kishte vënë në dijeni për një grindje fizike mes dy nxënësve, një grindje që ishte tentuar të vihej nën kontroll atë ditë nga një kalimtar i rastit.
Në seancë pritej të pyetej edhe Martin Përlleshaj, i cili nuk u paraqit.
Të njëjtën dëshmi sikurse edhe në polici fill pas ngjarjes, pohuan edhe mësuesja e “Fan Noli-t” dhe efektivi Guri. Ndërkohë që seanca e radhës u shty për në datën 14 korrik për të rinjoftuar 14-vjeçarin Mario Përlleshaj.