Orgesa Zaimi: Fëmijët i lija dhe i gjeja në gjumë

Orgesa Zaimi është një nga zërat më të mirë të muzikës pop rrok në Shqipëri. Këngëtarja vjen në një rrëfim për suplementin “Summer Pages”, ku na tregon për pushimet e kësaj vere, raportet me fëmijët, për muzikën e radion si dhe për projektet më të afërta. Në këto ditë të nxehta këngëtarja na thotë se përpos pushimeve në Borsh, do të jetë e angazhuar me muzikë. E pyetur nëse ka vendosur të jetë e rreptë apo tolerante me fëmijët ajo pohon se ka zgjedhur një të mesme mes disiplinës dhe nënës që mund t’i flitet e t’i tregohet gjithçka. Nëse do i duhej të zgjidhte mes muzikës dhe radios, Zaimi nuk do të donte të arrinte deri në këtë pikë, pasi të dyja e plotësojnë. Sa i përket këngës së fundit “Ngrije zërin”, Orgesa është e lumtur për impaktin dhe pëlqyeshmërinë që ka pasur te njerëzit. Kënga vjen si një konglomerat ndjenjash dhe tingujsh e me tekst mjaft motivues. Duket se shumë shpejt do të kemi surpriza nga artistja.

A i ka planifikuar Orgesa pushimet e verës?
Si çdo vit në verë zgjodha jugun e Shqipërisë, Borshi është destinacioni im çdo verë.

Veç relaksit a do të ketë ditë dinamike kjo verë?
Pushimet i kam të limituara në dhjetë ditë për shkak të punës dhe angazhimeve me muzikën që luaj në Tiranë dhe nëpër rrethe, po ashtu, edhe radios që e kam të përditshme, por patjetër që e gjej kohën e relaksit kur mungon gjatë fundjavave.

Ju keni dy fëmijë të vegjël, Borën dhe Kronin. Kush ju ngjan më tepër?
Të dy kanë marrë shumë nga unë dhe im shoq, por një ngjashmëri të madhe ka nga unë im bir Kroni, më duket sikur shoh veten time ndërkohë që ai rritet me shumë energji dhe karakter të fortë e luftarak.

Orgesa është mami tolerante apo e rreptë?
Jam të dyja nga pak, pa shkuar në ekstreme, kam gjetur një të mesme midis të qenit nënë, që do pak disiplinë dhe nënë që mund t’i flitet e tregosh çdo gjë, edhe gabimet. (qesh)

Puna zë një pjesë të mirë të ditës suaj. A keni ndonjë peng në lidhje me kohën që u kushtoni fëmijëve?
Ka pasur raste kur agjenda e punës ishte shumë e ngjeshur dhe i lija fëmijët në gjumë e i gjeja në gjumë, por duke pasur parasysh këto “humbje” tani bashkë me tim shoq e ndajmë dhe racionojmë kohën, që të kemi mundësi më shumë me rritjen e tyre vetëm ne të dy.

Vihet re që në veshjet tuaja ju preferoni ngjyrën e zezë. Çfarë domethënie ka ajo?
E zeza është universale dhe e pakohë në termat e modës; e kam vendosur si ngjyrën time të preferuar në veshje prej shumë vitesh tashmë, por ka edhe ndryshime të herë pas hershme, nëse mund t’ju korrigjoj, këto kohët e fundit jam bërë më shumë solare.

Kënga juaj “Ngrije zërin” vjen si një konglomerat ndjenjash dhe tingujsh. Si është pritur nga publiku?
Kënga ka qenë pjesëmarrëse në “Festivalin e 56-të Këngës” në Radio Televizion. Ka qenë një eksperiencë e bukur, sepse kënga u bë një nga të preferuarat dhe askush nga ne s’e priste, kjo do të thotë që kur kënga është e mirë ajo ngelet gjithmonë, mua më përfaqëson dhe me sa e kam bërë balancën ka më shumë po sesa jo në pëlqimet e njerëzve madje të shumtë këmbëngulin që është nga ato këngë që vijnë një herë në jetë. Por unë them që kam akoma më shumë për të dhënë në muzikë.

Nëse do ju duhej të zgjidhnit mes muzikës dhe radios, cilën do preferonit?
Të dyja më plotësojnë si person dhe si artiste dhe nuk do doja që të arrija deri aty sa të zgjidhja midis tyre, shpresoj mos të jem e detyruar pasi i dua të dyja njësoj.

Keni menduar ndonjëherë që muzika juaj të kapërcejë tregun kombëtar?
I kam bërë, në fakt, provat për këtë gjë në vitin 2014 me albumin tim “Brand New Day”, që është i gjithë në anglisht dhe s’ka qenë fushë me lule, patjetër që një këngëtar ka dëshirë që muzika e tij të bëhet universale edhe unë nuk ngelem mbrapa kësaj dëshire dhe e synoj, por brenda kushteve dhe mundësive pa bërë asnjë kompromis e mbi të gjitha pa dalë nga vetja.

Cilat janë projektet tuaja më të afërta? Kur do kemi surpriza nga Orgesa?
Shumë shpejt do të publikoj një këngë të re… por dua të mbarojë vera dhe në vjeshtë të nis punën në studio, deri atëherë më uroni fat!
Ju urojmë fat!

Share With:
Translate »
712 Views