VIP-at shqiptarë që kanë zgjedhur traditën për emrat e fëmijëve
Të jesh unik në një shoqëri që të servir çdo ditë tallaze, nuk është aspak e lehtë në ditët tona. As ta ruash fort emrin që, të pëlqen ose jo, ta kanë dhuruar për të të identifikuar dhe veçuar nga të tjerët. Është sfidë e vërtetë edhe ta ruash emrin për t’ua lënë brezave që do të vijnë. Por nuk është e pamundur për të qenë UNË, siç shumë të tjerë kanë mundur të jenë.
Shumë prej personazheve të njohur shqiptarë kanë zgjedhur të jenë unikë dhe këtë e kanë treguar edhe te pasardhësit e tyre. Të lindurit e rinj e kanë nisur jetën me një emër me domethënie; dikush mbart një histori, një legjendë, një qytet, një rrjedhë, një mal, një burim – gjithçka që në shqip do të thotë traditë, kulturë, histori. Ka të tjerë që nuk janë bërë pjesë e këtij grupi dhe kanë guxuar më shumë me qëllimin e universales – siç bota jonë po tenton të jetë ditë pas dite. Por sot, pas lindjes së Ajkës, vajzës së Xhensilës dhe Besit, po merremi pak më shumë me grupin e parë – ata që janë fanatikë të traditës dhe të emrit që duhet të mbartë një histori.
Besi dhe Xhensila – Ajka
Kuptimi i parë i Ajkës, emri më i ri i bebes më të re të shoëbiz-it, është ai që e dimë të gjithë: “Shtresë e yndyrshme që zë përsipër qumështi pasi e ziejmë dhe e lëmë në një enë…”. Por Ajka e Besit dhe e Xhensilës është dhe do të jetë MBI të gjithë dhe MBI gjithçka. Të dy artistët e kanë çdo copëz të marrëdhënies së tyre të lidhur deri në detaje – që nga ajka e qumështit të Ijes në fshat e deri tek Ajka e dashurisë së tyre të madhe. Besi, si patriot i zjarrtë, s’mund të bënte asnjë kompromis për emrin e së bijës, por duket se s’mund të gjente asnjë tjetër për ta identifikuar Ajkën e lumturisë së tij dhe të Xhensilës.
Edi Rama – Zaho
Zaho, djali i Kryeministrit Rama është pothuaj katër vjeç, por akoma për të gjithë ne nuk e ka zbuluar portretin. Sa herë është fjala për të birin, Rama është hermetik, ndaj mjaftohet duke na përshëndetur me kokën e tij në hije ose me ndonjë video argëtuese ndërsa ata të dy luajnë sport. Për emrin e veçantë të të birit, katër vjet më parë Kryeministri tha: “Është një emër i vjetër, shumë i përdorur, besoj e dinë shqiptarët këtë. Së dyti, është një emër i përdorur nga të dyja fetë, myslimanë dhe e krishterë.” Më e lidhur akoma është një legjendë, nga bregu, në Vuno. Legjenda e Zaho Kokës ka qenë shumë prezente, na intrigonte shumë, dhe siç ka thënë Rama, Zaho Koka luftoi për liri dhe dha jetën për dashuri.
Orgesa Zaimi – Bora dhe Kroni
Bora dhe Kroni janë dy fëmijë të mrekullueshëm të këngëtares së njohur Orgesa Zaimi. Ata madje janë edhe shumë aktivë në rrjetet sociale dhe kjo duket nga fotot dhe videot që e ëma poston në rrjetet sociale. Bashkë me partnerin e saj, këngëtarja vendosi që emrat e fëmijëve të ishin shqiptarë, të shkurtër dhe të thjeshtë. Ajo, e bardha e përjetshme e familjes Beqa, ndërsa ai Kroni që gurgullon në jetë mirësi.
Alban Dudushi & Bieta Sulo – Kroi Art
Edhe historia e Kroit të vogël është e njohur tashmë. Bieta ishte për Kroi, ndërsa Albani dhe vajza e tij e madhe ishin për Art. Nuk po merreshin vesh se ç’emër do të zgjidhnin, ndaj vendosën ta hidhnin në short. As ky i fundit nuk rezultoi i suksesshëm, ndaj, në fund, të tre bashkë vendosën për të bërë një marrëveshje – do të quhej Kroi Art dhe kështu u bë. Kroi, pas disa vitesh, me siguri, do të jetë shumë krenar për të dy emrat. Jo vetëm sepse do të vlerësojë “marrëveshjen” trepalëshe të prindërve dhe motrës së tij të madhe, por mbi të gjitha, sepse nga ai krua, me siguri do të rrjedhë art i pastër.
Ermal Fejzullahu – Arti, Era dhe Buna
Kur është fjala për traditë emrash, shqiptarët e Kosovës janë më fanatikë. Nëse mes nesh, gjen rrallë e më rrallë emra qytetesh e vendesh, në Kosovë, edhe tek të lindurit e sotën mund të gjejmë Berat, Saranda, Vlora e shumë emra lumenjsh, malesh e historish shqiptare. Ermali, për tre fëmijët e tij, ka zgjedhur emra tipikë shqiptarë: Arti, djali i tij i madh është identifikuar me artin e familjes Fejzullahu që me siguri do të vijojë ndër breza. Era dhe Buna, dy vajzat, mbajnë gjithashtu emra shqiptarë që, sado të rrjedhin në vite, mbeten njëlloj të bukur. Në mos, edhe më shumë me kohën që shkon…
Arbana Osmani – Jon
Një Jon të madh që njohim e që ka një histori rrëqethëse nga deti të cilit i mori emrin është Jon Gjebrea. Por nuk mbeti vetëm ai i vetmi Jon mes fëmijëve të personazheve të njohur. Arbana Osmani zgjodhi një emër shqiptar, të shkurtër e të thellë për të birin. Dhe jo vetëm ajo. Edhe këngëtari i njohur Alban Nimami ka bërë të njëjtën zgjedhje për djalin e tij. Vetëm se, shpesh prindërit “ankohen” për Jonin e tyre. Ashtu si deti, edhe ata kanë shpeshherë dallgë… dashurie.
Nora dhe Blendi Klosi – Ambla
Ministri Klosi, kur erdhi në jetë Ambla, vajza e tyre e vogël, tha se ajo ishte si puthja e Ambël e mami Norës. Kështu erdhi në jetë e vazhdon të rritet Ambla – mjalti i familjes Klosi. Ambla, sikur ta kishte zgjedhur vetë emrin, nuk do të mundte të gjente një identitet që i ngjet kaq shumë – e qeshur dhe e ëmbël, e ëmbël, mjaltë.
Flori Binaj – Krena dhe Glauk
Krena dhe Glauk – janë krenari dhe mbretëri më vete për aktorin e njohur të Portokallisë. Siҫ ka thënë edhe vetë Flori në një intervistë pak kohë më parë, Krena dhe Glauk janë ҫlodhja e tij më e madhe, e ҫdo dite pas punës, pas shfaqjes. Sa më shumë kohë të kalojë me ta, aq më i frymëzuar ndihet për të bërë gjëra të reja e të bukura.
Emrat e të dy fëmijëve, Flori i ka pikturuar edhe në lëkurë për t’i pasur përjetë në shpatull.
Erion Isai – Ajër
Aktori i humorit Erion Isai dhe bashkëshortja e tij Ajlin, zgjodhën një emër të veçantë për të voglën e tyre. Ajër është bekimi që i mbush ditët dhe jetët e dy artistëve. Sapo lindi, Ajër mori vëmendjen e të gjithëve edhe për emrin unik me të cilin prindërit e pagëzuan.
Irma Libohova – Lule
Irma është një gjyshe që e do shumë traditën dhe kjo nuk ka pikë dyshimi. Zëri dhe repertori i saj, në çdo vend çojnë peshë shqiptarët që e duan dhe i merr malli për muzikën dhe traditën e tyre. Duket se këtë dashuri për vendin dhe traditën ia ka trashëguar edhe të birit. Edhe pse profili i tij nuk është publik, mund ta kuptosh lehtësisht ndikimin që ka pasur tek ai e ëma. Mbesa e Irmës ka një emër të bukur shqiptar – Lule, dhe është po aq e bukur dhe e dashur sa ç’është një lule pranvere. Kështu thotë Irma dhe po e tha ajo, ka njeri që dyshon?
Për fat të mirë, lista e fëmijëve të personazheve të njohur nuk mbaron këtu. Ka edhe shumë të tjerë që për trashëgimtarët e tyre kanë zgjedhur emra shqiptarë dhe unikë. Sepse duam apo nuk duam, të jesh shqiptar mbart traditë, duam apo nuk duam, pas nesh është një histori e gjatë për të cilën na lypset gjithmonë të jemi krenarë.