Pa ushqim, me plastmas në vend të panolinave, Ana kujton vuajtjet kur lindi vajzën

Të rinj, të dashuruar, të martuar dhe me një dëshirë të madhe për t’ia dalë mbanë edhe pse vështirësitë ekonomike i sfiduan fort. Në historinë e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty”, Ana rrëfen se pas humbjes së një njeriu të dashur për të, vjehrrës së saj, bashkëshorti mbetet pa punë teksa vajza e tyre sapo kishte ardhur në jetë.

Më herët, në rubrikën e “E diela shqiptare” në Tv Klan, 23-vjeçarja shpjegoi se familja e kishte këshilluar që të mos martohej shpejt. Kjo fjalë e tyre bëri që ajo të mos i shtrinte dorën për ndihmë kur ishte në pamundësi, ndonëse ajo dhe vajza e saj të sapolindura mbeteshin të uritura për ditë të tëra.

Ana: Pas lindjes së vajzës, im shoq humb punën dhe ne ngelim pa asnjë burim të ardhure, pa asnjë gjë fare.

Ardit Gjebrea: Asgjë?

Ana: Asgjë, asgjë.

Ardit Gjebrea: Si jetonit? 

Ana: Me shumë vështirësi. Mund të them që mund të rrinim edhe 2-3 ditë pa ngrënë, vajzën thjesht e ushqeja me çfarë të mundesha. Ndoshta kisha qumësht gjiri, por ajo donte dhe shtesën, kishte nevojë edhe për më shumë. Blija qumështin, kur e blija, dhe që ta ushqeja e holloja me ujë që ta shtoja. Ka pasur shumë raste kur në vend të panolinave unë i vendosja napa të bardha dhe ia mbështillja me plastmas.

Ardit Gjebrea: Pse nuk iu drejtove familjes tënde.

Ana: Unë vuaja, nuk doja që dhe familja ime të vuante. Nuk doja se e dija që ata do më gjendeshin pranë dhe më janë gjendur, por nuk doja t’i shqetësoja. Nuk e bëja dot, thoja më mirë të vuaj se sa t’iu them atyre dhe ata të vuajnë me mua, nuk e bëja dot.

Ardit Gjebrea: Por ishte dhe vajza jote.

Ana: E di. Shumë gjëra ata ndoshta do t’i marrin vesh nga ky emision se nuk i dinë.  Nuk i dinë sepse nuk iu kam treguar. Ndoshta për faktin që si të thuash, në njëfarë mënyre ata më dolën nga borxhi, je shumë e vogël  për të krijuar familje.

Ardit Gjebrea: Në njëfarë mënyre, dënove veten?

Ana: Dënova veten, njëkohësisht edhe vajzën time.

Share With:
Translate »
174 Views