Pandemia “prodhoi” nxënës të dobët/ Ekspertja ngre alarmin: 210 mijë fëmijë nuk kanë akses në arsim
Pandemia ka futur në krizë shumë sektorë, një nga të cilët është edhe arsimi. Shqetësimi vjen nga Banka Botërore, e cila thotë se në këto 100 vite, sistemi arsimor po përjeton problemet më të mëdha, të cilat do ta shtrijnë efektin e tyre për dekada me radhë. Sipas raportit të Bankës Botërore, në vendet në zhvillim me të ardhura të mesme ku bën pjesë edhe Shqipëria, 63 nxënës në 100 të tillë kanë akses të kufizuar në arsim, e cilësuar ndryshe si varfëri arsimore.
Për rrjedhojë, më shumë se 60% e nxënësve kanë humbur mundësitë për të përfituar njohuritë sipas programeve dhe kurrikulave mësimore. Në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta, thotë raporti i Bankës Botërore, 53% e të gjithë fëmijëve 10 vjeç nuk mund të lexonin dhe kuptonin një tekst të thjeshtë edhe para pandemisë.
Por Covid-19 e ka përkeqësuar krizën e të mësuarit dhe ndikimi në kapitalin njerëzor të këtij brezi nxënësish ka të ngjarë të jetë afatgjatë.
E ftuar në “Wake Up”, koordinatorja e Koalicionit për Arsimin në Shqipëri, Linda Pino ngriti shqetësimin se 210 mijë nxënës të arsimit parauniversitar nuk kanë akses në mësimin online.
“Arsimi nuk i jep efektet menjëherë, i jep efektet në një 10-vjeçar. Kështu që edhe shqetësimi që më të drejtë ka ngritur Banka Botërore është i drejtë, ku do shkojë arsimi këtu e dhjetë vjet, si do jetë gjendja e fëmijëve që sot po studiojnë në arsimin parauniversitar publik.
Janë mbi 500 mijë fëmijë që studiojnë sot në arsimin parauniveristar publik. Nëse bëjmë një përllogaritje, janë 210 mijë nxënës që nuk kanë akses në arsim. Pra 210 fëmijë ku janë, si po mësojnë. Janë fëmijë që nuk kanë mundësi të kenë një telefon dhe jo më një kompjuter. Është një shifër shqetësuese dhe po shohim që Ministria e Arsimit nuk ka një reagim për numrin e fëmijëve që nuk kanë akses në internet dhe as telefon e kompjuter”, tha ajo.