Pas 16 vitesh në Zvicër, rikthehet pranë nënës në fshat dhe ndërton një bujtinë

Flutura Laurent jeton prej 16 vitesh në Zvicër ku punon si pedagoge. Në Gjinar e ka kthyer një thirrje e brendshme për t’i qëndruar pranë së ëmës dhe për të krenuar vajzën 14-vjeçare brenda saj që u largua nga fshati duke kërkuar diçka më të madhe.

Kthimi e bëri të sillte edhe një copëz nga Zvicra, një bujtinë sipas stilit alpin që mirëpret turistë. Flutura rrëfen në “Histori Shqiptare” në Tv Klan historinë e saj, frymëzimin dhe motivimin për t’ia dalë në Zvicër dhe në një fshat mes maleve në atdhe.

Alma Çupi: Kur e more vendimin që ta bësh këtë gjë? Çfarë të thërriti?

Flutura Laurent: Unë ndjeva atë urgjencën që në qoftë se nuk do ta bëja në këto momente, nuk do të  kaloja më kohë me prindërit e mi dhe unë jam një vajzë që ka ikur 14 vjeçe nga shtëpia. E ndieja në mënyrë qoftë koshiente dhe qoftë jo koshiente që duhet të bëja diçka dhe duhet t’ua zbukuroja jetën prindërve të mi dhe në mënyrë indirekte, do zbukuroja dhe jetën time. Dhe pastaj në mënyrën më të dukshme t’ua zbukuronim ditën turistëve që vinin këtej.

Alma Çupi: Ti ke ikur 14 vjeçe nga fshati. Natyrisht Gjinari është një fshat shumë i bukur, por e imagjinoj që nuk ka qenë e lehtë ajo periudhë për të jetuar këtu.

Flutura Laurent: Po, shumë e vështirë.

Alma Çupi: Pati pasoja ajo periudhë e fëmijërisë tënde në një moment që ti mos të vije më këttu?

Flutura Laurent: Kur ti jeton dhe lind në një vend të ashpër, nuk ke zgjidhje tjetër përveçse t’i forcosh sa më shumë vlerat siç është puna, siç është korrektësia, siç është të komunikuarit në një mënyrë të ndershme me tjetrin sepse ajo varfëria ekstreme me të cilën jemi rritur neve nuk të linte luksin të ishe hipokrit. Fakti që unë jam rritur me këtë lloj sistemi, me këtë lloj forme më dha atë forcën që do ia dilja dhe ia dola. Ia dola në qytet, ia dola në Tiranë, ia dola në Elbasan, ia dola me studimet, ia dola në një vend të huaj, ia dola të jem mama, ia dola të jem profesore, ia dola…

Alma Çupi: Ia dole dhe me bujtinën.

Flutura Laurent: Ia dola ta ndërtoj.

Alma Çupi: Nga të gjitha këto rrugëtimet e tua, cila ka qenë më e vështira?

Flutura Laurent: Kjo ka qenë më e vështira.

Alma Çupi: E paimagjinueshme! Unë gjithmonë e kisha idenë që kjo ka qenë më e bukura, finalizimi i gjithë…

Flutura Laurent: Edhe unë ashtu mendoja, që do ishte më e bukura, më e thjeshta përderisa po kthehesha dhe është ajo, po riparoja diçka që nuk e kam pasur unë në fëmijërinë time. Fakti që u rritëm dhe na shkoi fëmijëria siç i ka shkuar… shumë kot domethënë, shqiptarëve dhe brezit tonë, me kushtet jo të mira, pastaj… ne jemi një brez që ka punuar për tre breza. Normalisht një brez punon për dy ose një brez. Neve kemi punuar për tre. Kemi punuar për prindërit tanë, kemi punuar për veten tonë dhe kemi rritur fëmijët tanë sepse duke bërë këtë rrugëtimin, kemi harruar veten dhe kemi harruar atë gocën e vogël që dikur ishte në këto male. Dhe unë erdha t’i thosha do ia dalim.

Share With:
Translate »
76 Views