“Mami, nuk ia dal dot më me babin”, nëna kujton mes lotësh fjalët e të birit 7-vjeçar

Pas 16 vjetësh martesë, në vitin 2019 Silvana vendos të marrë 3 fëmijët e të largohej nga Italia dhe nga shtëpia ku njihte vetëm dhunë. Nga familjarët nuk kishte asnjë mbështetje dhe mendoi se kishte ardhur koha t’i jepte fund trishtimit pas aq shumë vitesh vuajtjeje. Në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Silvana ndan momentin vendimtar që e bëri të vendosur për t’u larguar, fjalët e të birit 7-vjeçar.

Ardit Gjebrea: Si u soll bashkëshorti yt?

Silvana: Ai më tallte në fillim kur unë i thashë dhe ka ndodhur debat përpara dhe i thashë unë kam për të ikur. “Ku do vesh ti se s’ke asnjeri në Shqipëri, nuk ka kush të mban se të gjithë janë nga ana ime”, tha. I thashë unë kam 3, për mua e rëndësishshme është këta që kam me vete, nuk më intereson se çfarë thotë bota, se çfarë thonë të mitë, se çfarë thonë të tutë, nga asnjë njeri nuk dua t’ia di më, për mua është e rëndësishme fëmijët e mi.

Ardit Gjebrea: Po ti si e more këtë vendim?

Silvana: Sepse kur vjen pika që nuk kem më ç’bën, kur shikon fëmijët e tu, kur të thotë fëmija yt “mami nuk ia dal dot më me babin”, atëherë e merr vendimin.

Ardit Gjebrea: Ta kanë thënë këtë gjë?

Silvana: Djali.

Ardit Gjebrea: Në cilin moment ta tha?

Silvana: Kishte qenë një natë që po hanim darkën, kisha shtruar darkën për fëmijët, isha një çikë e lodhur se sapo kisha ardhur nga puna, isha ngritur në 4:30 të mëngjesit dhe kam ardhur në 7 të darkës.  Ai ka hedhur një fjalë shumë të pistë, shumë të rëndë përpara fëmijëve dhe unë nuk i kam kthyer  përgjigje kam ikur sepse thashë lëre të flasë se është mërzitja, janë të gjitha. Shtroj tavolinën, shtroj darkën, kishte marrë gotën me raki dhe po e pinte dhe po thoshte fjalët e tij.

Unë nuk po i ktheja përgjigje sepse ishim të gjithë në tavolinë, po hanim bukë me fëmijët. Në atë moment ai i ka rënë me grusht tavolinës, u hodhën pjatat  përpjetë, tha “pse s’kthen përgjigje”. Çuni ngrihet nga tavolina, ka ikur në dhomën e vet, shtrirë barkas dhe po qante. Jam ngjitur lart në katin e dytë, i kam thënë “Mati, çfarë ke?” Më ka parë duke qarë dhe më ka thënë “mami nuk ia dal dot më me babin, merr vendim çfarë do të bësh”. Aty ka qenë pika e fundit.

Pas largimit drejt Shqipërisë, bashkëshorti kërkoi të takonte Silvanën dhe t’i premtonte se do të ndryshonte. Familja u kthye sërish në Itali, por ‘ndryshimi’ zgjati vetëm 4 ditë përpara se dhuna të rikthehej dhe Silvana të ndahej më vete bashkë me fëmijët.

Share With:
Translate »
75 Views