Pas babait dhe vëllait, humb jetën dhe njëra nga vajzat e aksidentuara në Shkodër, flasin mjekët
Tri viktima dhe 4 të plagosur është bilanci i një aksidenti tragjik ndodhur në aksin Shkodër – Velipojë pasditen e të dielës.
Dy mjete janë përplasur më njëri-tjetrin dhe për pasojë kanë mbetur të vdekur Edmon Preka dhe dy fëmijët e tij, përkatësisht djali 8-muajsh dhe vajza 5-vjeçare. Në Spitalin e Shkodrës ndodhen në gjendje të rëndë bashkëshortja e viktimës, Ervisa Preka dhe vajza e madhe 9-vjeçare.
Dhurata Uruçi, nëndrejtoreshë e Spitalit Shkodër: “Në orën 18:50 ka ardhi i ati, Edmond Preka, i vdekur. Në orën 19:10, Rajani, djali 8-muajsh ka ardhur i vdekur. Po kështu, me dëmtime shumë të rëndë që nuk mundi t’i rezistonte jetës ishte Ajseli, 5-vjeçe. Sapo erdhi në spital ndërroi jetë. Është në gjendje shumë të rëndë Noemi, vajza tjetër e familjes, 9-vjeçe dhe nëna.”
Dinamika e aksidentit ka qenë e frikshme dhe përplasja shumë e fortë. Mjeti ku udhëtonte familja Preka, kjo Alfaromeo e zezë thuajse është shkatërruar. Nuk paraqesin rrezik për jetën dy personat që udhëtonin në mjetin tjetër, kjo fouristradë e bardhë. Sokol Mëhilli drejtuesi i këtij mjeti ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore në spital. Nën kujdesin e bluzave të bardha është dhe Ndrek Gjergji pasagjer fuoristrades, edhe ai jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor i ngritur nga policia po hetojnë për shkaqet e këtij aksidenti të rëndë. Ajo që dihet deri tani është se mjetet janë përplasur ballë-përballë, çka i bën hetuesit të dyshojnë se shkak mund të ketë qenë një parakalim i gabuar dhe shpejtësia tej normave të lejuara.