“Pasi u nda nga nusja djali ra në depresion, shikonte haluçinacione dhe u bë i dhunshëm”

E ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, ka qenë Shpresa Agimi nga Tirana dhe jeton me djalin e saj 49 vjeç i cili vuan nga depresioni. Shpresa rrëfen se bashkëshorti është ndarë nga jeta 15 vite më parë. I biri në vitin 1990 emigroi në Gjermani, ku jetoi për shumë vite, gruaja rrëfen se ai ishte ndër emigrantët e parë. Në Gjermani i biri ndërtoi familje, erdhën në jetë dy vajza që sot janë 23 vjeç dhe 19 vjeç. I biri u braktis nga bashkëshortja dhe ndarja me të i shkaktoi probleme të shëndetit mendor. Pasi u rikthye në Shqipëri ai jetoi me Shpresën dhe të atin i cili nuk është me në jetë. Shpresa rrëfen se ka tentuar disa herë të lidhet me mbesat, por e ka pasur të pamundur.

Shpresa: Djali iku me ambasadat në Gjermani, ku punonte, por nuk kishte ndonjë zanat, punonte në ndërtim. Unë i gjeta një vajzë nga Shqipëria, durrsake dhe ishin të dy si ylla të bukur. Ajo ishte e zgjuar, vajzë e re 17 vjeç kurse ai ishte 23. U bë martesa, një dasmë e mrekullueshme që nuk e harroj dot. Si përfundim u martuan dhe lindën dy vajza. Ishte një martesë shumë e bukur, ishin shumë të dashuruar.

Mirela Milori: Sa vite zgjati martesa e tyre?

Shpresa: 10 vite, sikur i hëngri në sysh njeri. Sikur edhe njerëzit e afërt i kishin zili, aq të lumtur ishin dhe nuk i mungonte asnjë gjë.

Mirela Milori: Pas 10 vitesh lindën konfliktet, çfarë ndodhi?

Shpresa: Ishte shumë xheloze ajo për djalin, edhe ai ishte pak çapkën. Kalonte ndonjë femër që kishte të dashur dhe kjo bëhej xheloze, qante, ulërinte, bëheshe shumë keq. Unë i thoja djalit pse i flet të tjerave, ti e ke të mrekullueshme dhe të bukur këtë vajzë. Unë e dua nusen shumë dhe kam akoma respekt për të sepse ka qenë një vajzë e mrekullueshme.

Shpresa tregon se ishin të dy shumë xhelozë për njëri-tjetrin. Djali nuk e fuste atë në punë dhe kjo gjë mund të ketë ndikuar në marrëdhënien dhe konfliktet e tyre. Madje kur nusja bëhej xheloze, ai dhe mund të ngrinte dorën ndaj saj. Dy vajzat sherrin e prindërve nuk e përjetonin aspak mirë. Pas 10 vitesh nëna e saj influenconte shumë dhe i thoshte që të ndaj nga burri.

Shpresa: Kur ishin të fejuar, e ëma e nuses e puthte në ballë djalin tim, e adhuronte, ndoshta donte ta çonte vajzën në Gjermani, e merrte me të mira dhe e donte. Kur kanë lindur fëmijët vinte shpesh ajo dhe i shikonte gjërat më mirë se sa unë. Nusja vendosi të ndahej dhe influenconte edhe tek vajzat që babi kështu dhe babi ashtu dhe u ndanë me mirëkuptim. E mbyllën gjyqin dhe djali mori shtëpi më vete. Kur mori ai shtëpi, ajo filloi t’i afrohej prapë, e donte djalin, u bë pishman, por ky nuk e pranonte më sepse dyshonte. I thoshte pse po më afrohesh tani ti mua, kështu konflikte të kësaj natyre.

Shpresa rrëfen se pas ndarjes së djalit nga nusja ai u kthye nga Gjermania në Shqipëri sepse nuk ishte mirë nga shëndeti mendore. Ai filloi të kishte halucinacione, të fliste përçart, ishte futur dhe në depresion. Ne 2011 ata e shtruan djalin në spital sepse filloi të bëhej agresiv dhe të ushtronte dhunë. Nga mërzia për djalin e sa që ishe në atë gjendje, ajo tentoi dhe të vetëvritej, duke pirë një ilaç sepse nuk e donte më jetën. I biri vazhdon të jetë akoma në këtë gjendje dhe nëna shprehet se kur del ai për xhiro dhe vonohet, frikësohet shumë dhe merr në telefon policinë.

Mirela Milori: Po me vajzat sa kohë ka që nuk flet?

Shpresa: Që nuk flet dhe nuk e marrin më në telefon ka 1 vit. As me mua nuk kanë folur.

Dëshira e kësaj gjyshe është që të rikthehet sërish komunikimi me mbesat e saj sepse është e sigurt që edhe shëndeti i të birit do përmirësohet nëse ai komunikon me vajzat sepse ato janë si një terapi për të.

Share With:
Translate »
237 Views