Pasioni për pasarelën i Livias, vajzës së Dritan Priftit
Livia është vetëm shtatë vjeçe, por pasionin për të bukurën e ka të trashëguar. E rritur në një familje ku mbizotërojnë meshkujt, ajo mund të quhet me plot gojën princesha e vërtetë e familjes Prifti. Ardhja e Livias në jetë, u prit si gëzimi më i madh i kësaj familjeje, jo se ardhja e tre vëllezërve të tjerë nuk e lumturoi çiftin Prifti, por lindja e një vajze kur e dëshiron pas kaq kohësh, përbën tjetër lumturi. Futet në ato ndjesi që të përmbushin më shumë, sidomos për një nënë të përkushtuar pas fëmijëve, e plotëson më mirë tablonë familjare: tre vëllezër dhe një motër, Joni, Davidi, Tedi dhe Livia. Në fakt, Livia ka një emër shumë të veçantë. Emri i saj i vërtetë është Livia Elia Marie. Livia është emri i përzgjedhur nga i ati, Dritani, Elia nga e ëma dhe, Marie, version i emrit të së ëmës, Meri. Kështu, të gjithëve iu plotësua dëshira për t’i vendosur emrin që dëshironin, edhe pse shumica e njohin me emrin Livia, sidomos në Instagram, ku ajo ka ndjekësit e vet. “Që kur lindi, Livia ka qenë e veshur bukur, pa e kuptuar që njëkohësisht ishte dhe një bebe fashion”, – thotë plot dashuri e ëma.
Si çdo fëmijë tjetër, ajo ka pasionet e saj të moshës, por ajo çka e veçon nga të tjerët është fakti që është shumë fashion. Edhe një dalje e saj në rrugë tërheq vëmendjen, të bën të kthesh kokën, jo vetëm sepse veshja e saj është plot stil për moshën që ka, por duket edhe sikur sapo ka dalë nga pasarelat e modës. Bukuria e Livias është se në një trup të vogël, ti shikon tendencat më të fundit, të përshtatura aq bukur, pa humbur sensin e një shtatëvjeçareje. Ajo ka tipare shumë të bukura, flokë biondë, sy të kaltër, ndërsa tipari që dallon sapo e takon, është buzëqeshja fëmijërore, që e karakterizon. Nuk është vetëm e vogla e familjes ajo që pëlqen modën dhe merret me këtë fushë. Davidi, vëllai i dytë, ka kohë që e ka nisur këtë profesion. Herë pas here, ai është bërë pjesë e shërbimeve fotografike të modës. Kur përmenda në fillim që Livia është e brumosur që e vogël me shijen e së bukurës, kisha parasysh që ajo ndjek prej kohësh kurse të ndryshme, si: pianoje, pikture e baleti.
“Është natyrë e pavarur, – më thotë e ëma, Meri. – Pothuajse një pjesë e mirë e gardërobës është përzgjedhje e vetë Livias. I organizon vetë gjërat dhe njeh çdo trend të ri që pritet të dalë. Por e bukura e familjes sonë, – shton ajo, – është se për pamjen e Livias kontribuojnë të gjithë, sidomos vëllezërit, të cilët duan që motra të jetë sa më ideale.”
Çdo gjë në veshjet e saj është e përsosur, që nga aksesorët, këpucët,çantat,
kapelat, getat, e deri te detajet më të vogla. Mbi të gjitha, ajo ka vetë fantazi në kombinimet që bën. Veshjet e saj mund t’i kenë zili dhe më të rriturat, pasi shërbejnë si guru për çdo sezon mode. Vogëlushja, që këtë vit është në klasë të parë, ka kohë që ka nisur edhe “karrierën” në pasarela. Para disa vitesh, ajo ka qenë pjesë e sfilatave tëzhvilluara në
kryeqytet. Edhe pse shumë e vogël, Livia asnjëherë nuk është lodhur, por i ka pëlqyer sfilimi dhe sfilatat. Shpresojmë që edhe më vonë, Livia Elia Marie të jetë një emër i njohur në fushën e modës!
Nga Santana Çomora, Fotografia: Endrit Mërtiri /Living