Pediatri Dr. Polikron Çelo: Shkaktarët dhe masat e diarresë tek fëmijët

Me diarre kemi parasysh të dalat jashtë të shpeshta, më të ujshme se të zakonshmet, shoqëruar ose jo me shenja të tjera si të përziera, vjelle, dhimbje e prej barku, rritje temperature etj, po pasojat, ndonjëherë të rënda, lidhen me humbjen e lëngjeve (dehidrimin). Diarreja haset në çdo kohë, po një shtim i rasteve (sidomos në moshat nën 2 vjeç) vërehet gjatë stinës së Verës, për dy arsye I – temperaturat e larta të mjedisit, favorizojnë rritjen e shkaktarëve të Diarreve 2- gjatë kësaj periudhe shumë familje shkojnë për pushime, po nëse nuk gjejnë kushte të mira higjenosanitare, të parët që sëmuren me diarre, janë fëmijët.

Diarreja shkaktohet kryesisht nga infeksionet, po fëmijët e muajve të parë, mund të kenë diarre dhe për shkaqe në dukje të parëndësishme si p.sh dhënia e lëngjeve të frutave tepër të koncentruara, ose me shumë sheqer, fillimi para moshës 5 muaj i produkteve jo me bazë qumështi, dhënia e një ushqimi që nuk i përshtatet moshës etj. Diarreja, sidomos e zgjatur, mund të jetë shenjë e disa sëmundjeve të tjera si Celiakia, alergjia  nga ndonjë ushqim, intoleranca ndaj Laktozës etj.  Kujdes – Në jetën e përditshme ndodh të merren për diarre e të mjekohen, të dalat jashtë normale gjatë muajve të parë të jetës, që mund të jenë të shpeshta, tepër të holla ose me ngjyrë jeshile. Nuk duhen marrë për diarre, as feciet e ujshme në disa fëmijë të shëndetshëm.

Si shfaqet. Sëmundja mund të fillojë në disa mënyra, po ecuria përveç shkakut, varet shumë nga mosha, sa më i vogël fëmija, aq më problematike Diarretë. Në format e lehta, shpeshtohen të dalat jashtë, fecie bëhen të ujshme, po gjendja e përgjithshme mbetet e mirë; megjithatë gjendja në vazhdim mund të keqësohet. Në raste të tjera, qysh në fillim jashtëqitjet bëhen më të shpeshta e tepër të ujshme deri sa humbasin krejt konsistencën. Shoqërimi me të vjella çon në humbjen më të shpejtë të lëngjeve e kripërave minerale (gjendje dehidrim). Sa më i thellë dehidrimi, aq më në rrezik jeta e të sëmurit. Jo vetëm për t’u orientuar, por më tepër për të gjykuar ecurinë e gjendjes,  mund të ndiqni me vëmendje disa nga shenjat më thelbësore, sipas shkallës së humbjes së lëngjeve (dehidrimit)

Humbje lëngjesh të pakta – Cipat (mukozat) e gojës pak të thata, rritet dëshira për të pirë çdo gjë që u ofrohet, fillon të rrallohet dhe të pakësohet sasia e urinës.

Humbje lëngjesh mesatare – Grindje të vazhdueshme, shoqëruar me periudha përgjumësie; tharje e mukozave të buzëve dhe gojës; nëse kapet lëkura e barkut midis dy gishtat, nuk kthehet menjëherë si më parë, po mbetet në formë pale (një shenjë tepër e rëndësishme);  thellohen zona rreth zgavrave të syve; ujthi (fontanella, normalisht e pambyllur), thellohet dhe urina pakësohet së tepërmi.

Humbje lëngjesh të shumta – Keqësohen të gjitha shenjat e më sipërme, shpeshtohet frymëmarrja dhe pulsi, thahen e mavijosen buzët, ndërpritet plotësisht urinimi; një gjendje tepër, tepër e rëndë dhe rrezikshme për jetën.

Kur duhet lidhur me mjekun? Menjëherë për fëmijët poshtë moshës 6 muaj. Në çdo rast kur vërejmë thellim të dehidrimit dhe nëse vazhdon me temperaturë të lartë, mbi 24 orë.

Nga se shkaktohen. Në shumicën e rasteve shkaktarë janë disa tipe virusesh, të gjithë mjaft ngjitës, merren kudo e përhapen shpejt duke shkaktuar mahisje të aparatit tretës  (prandaj këtyre sëmundjeve u kanë vënë dhe nofkën “gripi i zorrëve”.  Në përgjithësi kanë ecuri të shkurtër, po nëse nuk merren masa në kohë, çojnë në gjendje dehidrimi (e rrezikshme, sidomos në të porsalindur dhe të muajve të parë). Midis shkaktarëve të tjerë (më të rrallë), janë disa mikrobe, tipe të veçanta të Eserikia Koli, (jo cdo tip), Shiglat dhe  Salmonelat.

Shigelat (shkaktarët e Dizenterisë). Burim infeksionesh janë njerëzit e sëmurë dhe mbartësit (portatorët). Shigelat e liminuara me jashtëqitjen ndotin mesin, produktet e ndryshme dhe ujin; mandej me anë të duarve të palara ose produkteve të ndotura, kalojnë në gojë e përfundojnë në zorrë.

Salmonelat – Janë shkaktare të disa helmimeve të rënda ushqimore (sidomos gjatë stinës së Verës) dhe shoqërohen gjithmonë me diarre e të vjella. Fillimisht feciet janë tepër të ujshme (të ngjashme me supën e bizeleve), me mukusi, shoqëruar ose jo me gjak.

Terren i mirë për rritjen dhe shumëzimin e tyre janë vezët dhe të gjitha nënproduktet me vezë (pasta, torta etj), mishi i pulës, qumështi dhe mishi. Salmonelat bëhen të rrezikshme dhe kur ndotin burimet e furnizimit me ujë ose pishinat.

Si duhet vepruar në rast Diarreje.  Sot gjërat janë bërë më të thjeshta e të kuptueshme për të gjithë; qëllimi kryesor është të zëvendësohen ato që humbasin – lëngje  dhe rruga më e mirë është nga goja, me durim,  duke respektuar ato që i kanë pëlqyer (ose i pëlqejnë) fëmijës.

Përparësi merr tretësira me tresoli, po ka fëmijë që nuk e pranojnë. Në këto raste provoni këtë përzierje: në 1 litër ujë në temperaturën e zakonshme, shtrydhini  ½ limin, shtoni një lugë kafeje rrafsh me kripë dhe 1 lugë kafeje sheqer. Po nuk e “pëlqeu“ as këtë atëhere jepini atë që ka dëshirë si caj, kamomil, lëngje frutash ose limonata tepër të holluara (përparësi ka marr koka-kola). Me pak fjalë, duhen shfrytëzuar të gjitha mënyrat e dhënies së lëngjeve, mjafton që fëmija ti pranojë.

Pin me etje, po i nxjerr menjëherë? Dhe në këto rrethana, nuk duhet hequr dorë – jepuni nga pak e shpesh (ashtu si merren pikat e serumit në venë); si një “serum nga goja”; duke filluar qoftë dhe nga ½ lugë kafeje, pastaj 1 lugë, çka do të thotë që me durim, përmbajtja e një filxhani çaji (që merr rreth 200 – 250ml), të jepet afërsisht  gjatë 2 orëve. Në këtë mënyrë arrijmë të sigurojmë të paktën sasinë më të domosdoshme të lëngjeve. Në vazhdim, duke parë “tolerancën”, gradualisht rrisim sasinë dhe shpeshtësinë. Nëse të vjellat nuk janë problematike dhe lëngjet pranohen, nuk ka përse të veprohet si më sipër.

Mos është më mirë serumi? Është një rrugë (e kërkuar vend e pa vend), po jo më e mira. Lëngjet jepen në vena, vetëm kur masat e mësipërme nuk japin rezultate.

Medikamentet – Antibiotikët, për diarrenë e zakonshme, nuk kanë asnjë veprim, prandaj nuk duhen dhënë (ka ndonjë përjashtim, po atë e vendos vetëm mjeku). Nëse shkaktari diarresë është ndonjë parazit (si p.sh Lamblia), atëherë jepet Flagyl. Disa fermente, si Enterogermina, Jovita etj, nuk kanë ndonjë veprim direkt, po sidoqoftë ndikojnë në përmirësimin e tretjes, prandaj mund të jepen qysh në shenjat e para.

Kujdesi për ushqyerjen e fëmijës

Ushqyerja– Dietat e urisë, i kanë mbetur historisë; sot ndërprerja e ushqimeve tepër të koncentruara këshillohet vetëm në raste të veçanta dhe jo më tepër se për se 4 deri 6 orë.  Nëse ushqehet me gji, mos e ndërprisni. Po pati të vjella, vëreni në gji shpesh dhe për periudha të shkurtra. Kështu veprohet dhe për fëmijët me ushqyerje artificiale,  Sot këshillohet që fëmijët të vazhdojnë ushqimet e mëparshme, dhe të përpunuara mirë. Masat parandaluese, kanë rëndësi të veçantë, sidomos për stinën e Verës. Po përmend disa. -Lani duart para ngrënies së çdo ushqimi, dhe sa herë i jepni gji fëmijës. Kjo ka rëndësi për arsye se bartin mikrobe, viruse e parazitë; shkaktarë të diarresë.  -Mos konsumoni kurrë ushqime të paziera mirë, sidomos mish pule, produktet ku bën pjesë dhe veza; të njëjtat masa merrni dhe për çdo produkt tjetër. Ato që nuk zihen (sallatat, domatet, frutat etj), duhen larë mirë me ujë të rrjedhshëm; -Qumështi, është teren tjetër shumë i përshtatshëm për shkaktarët, prandaj kurrë mos e blini rrugëve dhe ziejeni mirë para marrjes;  – Dezinfektoni depozitat e ujit dhe sigurohuni që pishinat të jenë të kontrolluara.

 

Share With:
Translate »
1022 Views