Përmbajtja e teksteve shkollore shqiptare shqetësojnë Greqinë

Zëvendës ministri i Jashtëm grek, Gianis Amanatidis, në një interpelancë në Parlamentin grek është përgjigjur në lidhje me tekstet mësimore të shkollave në Shqipëri që prekin tema të karakterit historik dhe gjeografik, duke e konsideruar të papranueshme përmbajtjen e tyre.

“Shqipëria është anëtare e UNESCO-s dhe e Këshillit të Europës. Por politika arsimore e saj, që po e zbaton këtu, nuk përputhet me vlerat bazë. Domethënë me tolerancën, mirëkuptimin e përbashkët dhe shmangien e ripërsëritjes së steriotipeve negative. Ruajtja e këtyre pjesëve të papranueshme dhe fyese për vendin tonë në kapitullin “Zonat shqiptare në Greqi”, për fat të keq na tregon se ende shteti shqiptar është i mbërthyer nga koncepte anakronike, etnike dhe mega-ideatike, që në radhë të parë i shkaktojnë dëm vetë Shqipërisë”, ka deklaruar Amanatidis. 

Sipas zv/ministrit grek, pala shqiptare ishte zotuar në shkurt të këtij viti, në takimin e tretë të komisioneve dypalëshe, për rishikimin e teksteve dhe pastrimin e librave shkollorë nga “përcaktimet irredentiste” apo “përmbajtjet me frymë nacionaliste”, se do të rishqyrtonte problemin në një mbledhje në muajin maj, e cila nuk u bë për shkak të zgjedhjeve në Shqipëri. 

Për librat në fjalë është pyetur nga shtypi grek edhe ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias, në ministerialin e Selanikut.  “Këto harta para një viti ua tregoja gjithë kolegëve të mi në Këshillin për çështjet evropiane. Pra, pozicioni im është bërë publik para një viti kur kam thënë se këto harta janë të papranueshme për të dhënat evropiane. Sidoqoftë, ne kemi ndërmarrë hapa që atëherë. Diskutojmë për çështjet e librave me shqiptarët, ka një grup të përbashkët ku ne kemi bërë progres të madh dhe shpresojmë se për një vit do të kemi përfunduar të gjithë librat shkollorë. Kanë mbetur vetëm dy libra të klasës së tretë gjimnaz dhe në lice”, ka thënë Kotzias. Pretendimi i zyrtarëve grekë është se në komisionet dypalëshe është rënë dakord që Greqia të heqë nga libri i historisë çështjen  dhe pavarësinë e Vorio Epirit, kusht që është plotësuar. Ndërsa Shqipëria, siç theksojnë burime pranë Ministrisë së Jashtme greke, ende nuk ka hequr hartat, sipas saj, irredentiste dhe “historinë inekzistente” të saj kundër Greqisë.

Share With:
Translate »
650 Views