Përshesh me gjel deti
Përbërësit për kulaçin:
1 kg miell
1 qepë
200 g gjalpë
50 ml vaj ulliri
1 lugë çaji sodë buke kripë
ujë
nenexhik
piper i zi
Përbërësit për përsheshin:
gjel deti rreth 3-4 kg
lëngu i gjelit të detit
të brendshmet e gjelit (nëse nuk doni, mos i përdorni)
gjalpë ose vaj ulliri
kripë, nenexhik, rigon, piper
Përgatitja për brumin:
Sasisë së miellit i bëjmë një gropë të vogël në mes, ku shtojmë kripën dhe ujin dhe e punojmë me dorë, derisa të formohet një brumë kompakt (jo shumë i fortë). Brumin e lëmë të pushojë për gati 1 orë. Pas kësaj kohe, e hapim në një tepsi të lyer me pak vaj dhe mund ta zbukurojmë me dhëmbët e pirunit. E fusim në furrë dhe e pjekim në temperaturën 200 gradë, derisa të marrë ngjyrë të artë në
sipërfaqe. Pasi të piqet, e mbështjellim me një pecetë të thatë dhe e lëmë të qëndrojë vertikalisht, që të mos thahet dhe të ruajë fortësinë e duhur.
Përgatitja e përsheshit:
Në një tenxhere të thellë, ku kemi hedhur ujë dhe kripë, fusim edhe gjelin e detit, që të ziejë. Ndërkohë, merremi me përsheshin. Në një tigan të thellë hedhim gjalpin ose vajin e ullirit dhe kaurdisim qepën, të prerë hollë. Më pas, shtojmë të brendshmet e gjelit, të prera në copa të vogla. Kur qepa të jetë bërë transparente, shtojmë kulaçin e thërrmuar në copa të vogla dhe, dalëngadalë, lëngun e gjelit të detit (pasi ky të ketë zierë), derisa të mbulohet gjithë kulaçi i thërrmuar. Më pas hedhim kripë, nenexhik, rigon dhe piper. E mbulojmë me kapak, derisa lëngu i mishit të përthithet tërësisht nga kulaçi. E shërbejmë të nxehtë, të shoqëruar me një copë mishi nga gjeli i detit.
Për një pamje më të bukur, para se ta hedhim në pjatë, mund t’i japim një formë rrumbullake dhe më pas të vendosim mbi të mishin e gjelit, të prerë në copëza të vogla kubike. Sipër tyre shtojmë arra ose bajame të pjekura.