Pipero dhe Brataj kundër mbylljes së fundjavave për të zvogëluar infektimin me COVID-19, ja zgjidhja që propozojnë

Sot  u shënua rekordi i ri me të infektuar nga koronavirusi në vendin tonë, 93 të prekur dhe 4 viktima. Shifra këto shumë të larta, që vijnë fill pas lehtësimit të masave për parandalimin e përhapjes së virusit.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj dhe mjeku Pëllumb Pipero dhanë opinionet e tyre në  News24  për të çuar drejt zvogëlimit  rastet me të infektuar  dhe u shprehën kundër mbylljes së vendit në fundjavë, siç deklaroi dje në mbrëmje shefja e ISHP Silva Bino si mënyrë për të ulur numrin e të prekurve me Covid-19.

“Para pak javësh u mbyll Melburni në Australi. Unë shikoj si rrezik grumbullimet natën nëpër lokale, më e rrezikshmja janë përqafimet dhe puthet. Njerëzit që s’kanë pasur të infektuar në rrethin e tyre nuk duan ta dinë, ata që kanë pasur janë më të ndërgjegjshëm. Ne nuk duam të kthehemi në izolim, por nëse vijohet me këto ritme nuk do i lëmë njerëzit të vdesin rrugëve. Prandaj që të mos shkojmë aty rekomandohet mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura si dhe higjiena”, tha Brataj.

Ndërsa mjeku Pipero u shpreh: “Nuk e shoh mbylljen në fundjavë si zgjidhje të problemit, as mbyllje të pjesshme nuk do rekomandoja. Rekomandoj respektimin e protokolleve dhe shmangien e lokaleve të natës në bregdet kryesisht. Po të vendoset maska e të ruhet distanca s’ka vend për kthim pas. Virusi nuk bën pushim në fundjave, prandaj them që s’ka zgjidhje tjetër përveç maskës e distancës.”

Si Brataj ashtu edhe Pipero ishin kundër mbylljes së institucioneve kur ka raste me COVID-19. “Nuk duhet mbyllur institucioni se doli një apo dy persona pozitivë. Personi të monitorohet, të vendosi maskën dhe të shkojë në shtëpi. Të mos mbyllen institucionet”, shtoi mjeku Pëllumb Pipero.

Ndërkohë Brataj u shpreh se:“Nuk duhen mbyllur institucionet, personat e infektuar të skeduar janë edhe në polici edhe në sistem shëndetësor. Pra të mos dalin nga shtëpitë, të rinjtë e infektuar dalin sikur të mos kenë gjë, por ata janë burim infeksioni”.

Situata në spitalin infektiv vijon te paraqitet serioze, me pacientë që trajtohen në terapi intensive por edhe pacientë të intubuar, një pjesë e tyre mosha të reja.
Aktualisht janë të shtruar 72 pacientë në spital, 8 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rënde.

Share With:
Translate »
393 Views