“Po më heq nga goja bukën e fëmijëve”, çfarë ndodhi me Artjolën dhe Valbonën pas kësaj deklarate
Deklarata e fortë publike e pak javëve më parë habiti të gjithë opinionin publik. Këngëtarja e muzikës popullore, Valbona Mema, nga studio e “Një kat më lart”, tha publikisht se Artjola Toska po i merrte bukën e fëmijëve, por pa sqaruar se çfarë kishte ndodhur mes tyre dhe ku kishte lindur debati.
Duke e ftuar Toskën publikisht për t’u sqaruar dhe për të treguar se kush është njëra dhe tjetra, Valbona tha se ajo nuk e dinte ç’do të thotë të rritësh dy fëmijë jetimë: “Artjola Toska është duke më luftuar prej shumë vitesh dhe unë nuk kam hapur gojën. Dua ta bëj publike dhe do ta ftoj që, nëse ajo ka diçka me mua, të ma thotë, por jo të ndërhyjë në bukën e fëmijëve të mi. Kam frikë se ajo nuk ka shpirt”,- u shpreh Valbona për “Një kat më lart”.
Por sherri, me sa duket, i hershëm për këngëtaret e njohura, për fat të mirë paska mbetur pas. Pothuaj një muaj pas kësaj deklarate, Valbona është kapur sërish nga një mikrofon për të treguar çfarë ka ndodhur mes tyre. E pyetur nga “1 kafe me Labin”, këngëtarja tha se gjithçka ka mbetur pas tashmë: “Çdo gjë ka ardhur shumë mirë. I kemi sqaruar çdo gjë. Në një moment tjetër do dalim dhe do sqarojmë edhe opinionin publik. Por gjithsesi, ne jemi dy mikesha, dy këngëtare që duhet të përfaqësojmë denjësisht muzikën tradicionale shqiptare”,- u shpreh Valbona.