Predikimi i Vitit të Ri: Papa Françesku e quan dhunën ndaj grave një “fyerje ndaj Zotit”
Papa Françesku e ka dënuar dhunën ndaj grave si një “fyerje ndaj Zotit” në predikimin e Vitit të Ri. Fjalimi i tij, drejtuar besimtarëve gjatë meshës së të shtunës, u përqendrua te Maria, nëna e Jezusit, teksa Françesku u frymëzua nga ajo që lindi fëmijën e saj në një grazhd të përulur.
“Maria tani e gjen veten në stallën e errët të Betlehemit. Megjithatë, këtu ajo i jep Perëndinë botës. Të tjerët, përpara skandalit të grazhdit, mund të ndihen thellësisht të shqetësuar. Ajo jo,” predikoi Françesku. “Le të mësojmë nga Nëna e Zotit se si të kemi të njëjtin qëndrim: të mbajmë dhe të meditojmë […] Shpresojmë që gjithçka të jetë në rregull dhe më pas, si një rrufe në qiell, lind një problem i papritur. Pritjet tona përplasen dhimbshëm me realitetin”.
Ai foli kundër dhunës ndaj grave ndërsa predikimi po i afrohej fundit, duke thënë:
“Dhe meqenëse nënat dhurojnë jetën dhe gratë ‘ruajnë’ botën, le të bëjmë të gjithë përpjekje më të mëdha për të promovuar nënat dhe për të mbrojtur gratë. Sa dhunë është drejtuar kundër grave! Mjaft! Të lëndosh një grua është të fyesh Zotin, i cili nga një grua mori njerëzimin tonë.”
Mesha e së shtunës ishte hera e parë që nga viti 2019 që Papa ka mbajtur predikimin e Vitit të Ri, pasi ai e humbi fjalimin e vitit të kaluar për shkak të dhimbjes së nervit shiatik.
Papa 85-vjeçar shënoi atë që Vatikani e quan Ditën Botërore të Paqes, në të cilën papat kanë mbajtur fjalime që nga viti 1968. 1 janari është gjithashtu festa katolike e Marisë, Nënës së Zotit.
Përshtatur nga CNN