Prindër, mbani një ditar për fjalët e para të fëmijëve

Ju kujtohen belbëzimat e para të bebave tuaj? Po ato gugatjet me veten e tyre teksa në proces njohës, preknin dhe përpiqeshin të fusnin në gojë duart dhe këmbët. Kjo është periudha e parë, diçka mes muajit të tretë dhe të katërt (në mos gaboj) ndërsa në muajin e gjashtë ishin më të aftë në përçimin e zanoreve dhe thirrjeve për t’u ardhur në ndihmë.

Ju mund të thoni se edhe e qara është shprehi e nevojës, por anon diçka më shumë nga tekat dhe nervozizmi se sa kënaqësia e fëmijës për të marrë nga prindi, (nëna më së shumti), shërbimin që e bënte të ndihej mirë. Dhe mes ushqimit, argëtimit dhe përkëdhelive që u jepnim fëmijëve kur ishin të vegjël, belbëzimat e tyre, ato tinguj të ëmbël për veshin, ishin gjuha jonë e komunikimit, më e veçanta dhe e pamatë për lidhjen prind-fëmijë.

Shumëkush mund t’i rikujtojë ato kohë, madje të bëhet nostalgjik për periudhën kur fëmijët i kishin foshnje, sikundër dhe unë që po ndaj këto rreshta me ju. Është një fazë e jetës që pavarësisht ngarkesave fizike dhe lodhjes mendore, ishte ilaç për shpirtin. Jo se sot nuk është, por ka marrë trajtë tjetër e ti nuk mund ta trajtosh një fëmijë të rritur si foshnje me përkëdheli.

Tjetërkund dua ta çoj idenë e kësaj që dua të them. Përveçse kam mall për atë kohë, më vjen keq që nuk kam mundur për shkak të detyrimeve të shumta, të ndaja një ditar për veten time, ku të shënoja fjalët e para të fëmijës tim, ato rrokje të pakuptimta, por që për mua thoshin shumë. Ishin kodi ynë fjalorsiak për t’u kuptuar mes shumë bisedash, ndonëse nga ana ime letrare. Pak gjëra mbaj mend nga të dy fëmijët, tek-tuk, sepse ritmi i jetës dhe ndoshta një mënyrë ndryshe nga ajo që dëgjojmë sot nuk na e çonte nëpër mend një gjë të tillë.

Sot ka shumë faqe elektronike, nëna blogere që udhëzojnë përveç këshillave personale, midis tyre për shëndetin e nënës dhe fëmijës, ushqyerjen e me radhë, konsiderojnë si të vlefshme ruajtjen e shkruar të fjalëve të para të fëmijës, ato që deri në moshën trivjeçare janë kaq të ëmbla për shkak të pafajësisë së tyre në artikulim.

Kur Gea më shqiptoi për herë të parë fjalën “njaknja”, as e çoja nëpër mend se çfarë do të thoshte. Në hije mbaj mend kohën me shi dhe vajza që ma tregon për të më bërë të kuptoja se përse e kishte fjalën. Ishte çadra e saj e vockël, të cilën kishte dëshirë ta mbante vetë. E nëse ju vjen ndonjë fjalë e tillë nëpërmend, rikthehuni pas në kohë, në kujtimet e çmuara, risillni ato çaste të arta me fëmijën tuaj. Përveçse do të bëheni nostalgjikë, do të gjeni qetësinë shpirtërore që ndihmon më pas në procesin social tëndin, shmang emocionet negative, bëhesh i dashur, kreativ dhe gjen burime të reja forcash për ditën.

Përpos ndjesisë, dashurisë që prindi ka për fëmijën në çdo kohë, ajo që u sugjeroj prindërve të rinj, që janë duke i përjetuar me emocione, është t’i shkruajnë këto emocione në ditar, të regjistrojnë fjalët e tyre edhe pse të paqarta, kjo do të jetë argëtuese edhe për vetë fëmijën kohë më vonë, kur të rriten dhe do të duan të mësojnë për veten e tyre kur ishin të vegjël. Ky është një proces i ndjerë, i dëshiruar në çdo kohë, madje edhe nga vetë ne të rriturit që u lutemi prindërve të na zbulojmë atë anë të panjohur tonën që nuk mund ta memorizonim deri në moshën 5 vjeç.

Sot janë të gjitha mjetet për ta bërë të funksionojnë këtë mendim, e nëse ju vjen për shtat mund të bëheni pjesë e revistës e të ndani emocionet tuaja nga këto dëshmi.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 160

Share With:
Translate »
179 Views