Prindër të stresuar? Duhet t’u qëndroni larg

Nëse duke folur me familjarë që janë të depresionuar ktheheni pas në kohë, te një periudhë që ju bën ende të vuani, duhet të reagoni. ja si mund të çliroheni prej tyre dhe të arrini autonominë

Një e kaluar… që nuk kalon

Ndodh shpesh: jemi duke shijuar ditën, kur papritur marrim një telefonatë nga ndonjë familjar (nëna, babai, motra, vëllai) dhe ai fillon të na bombardojë me problemet e veta, ankthet, sjelljet e zakonshme torturuese, duke na zhytur sërish në një gjendje stresuese që nuk na pëlqen. Ai është një person, të cilin e duam dhe nuk duhet ta humbasim, por sikletet e tij na riçojnë në një humnerë, prej së cilës po përpiqemi të dalim. Nëna e shqetësuar, babai koprrac, gjyshja me nazet e saj, motra me fobitë e veta, vëllai në depresion: mjafton t’i dëgjosh dhe menjëherë mendja nis të bluajë lloj-lloj mendimesh. Kështu prishen ekuilibrat, bie humori dhe shterojnë të gjitha energjitë pozitive.

Problemi i vërtetë janë varësitë tona, jo “ata”

Ne jemi të inatosur duke dëgjuar gjithmonë të njëjtat gjëra dhe duke parë të njëjtin qëndrim. Kjo është arsyeja që ndihemi të prapambetur. Është njësoj sikur nga e kaluara, një mënyrë e vjetër, pjesë e së cilës kemi qenë dhe ne, na vjen me një zë që padashur përpiqet të “na tërheqë mbrapsht”, edhe pse mund të jetë prejardhja jonë, por që psikologjikisht kemi nevojë të shkëputemi për të qenë vetvetja. Megjithatë është pikërisht ky kontakt që në një farë mënyre ndikon te ne, duke na thënë se nuk kemi dalë ende jashtë këtij rrethi. Në qoftë se këto modalitete shqetësuese apo depresive na ndryshojnë humorin, kjo do të thotë se vazhdon të ekzistojë varësia mes nesh dhe atij personi. Nëse vetëm na inatos, do të thotë se lidhja e fortë është zbehur, megjithatë nuk mund të mohohet që jemi pak të përfshirë. Në fund të fundit kjo është e kuptueshme.

Fqinjë, por të largët

Ideale do të ishte një marrëdhënie normale, as shumë e afërt, por as e largët, pra të jeni në dijeni të problemeve të të afërmve tuaj. Duhet të arrini një autonomi mendore dhe emocionale që t’ju shkëpusë nga problemet familjare që nuk ju përkasin dhe t’ju ndihmojë që ta vazhdoni normalisht jetën, aktivitetet tuaja, pa e vrarë shumë mendjen për gjërat e tjera. Kjo do të ishte mënyra më e mirë edhe për të pasur një marrëdhënie të qetë si me të afërmit ashtu edhe familjarët. Duke gjetur një gjuhë të përbashkët mund të mbështesni njëri-tjetrin sa herë të jetë e nevojshme (gjithmonë duke ruajtur distancat dhe nuk keni pse të bëheni psikoterapisti i tij), por edhe mund të zgjidhni nëse duhet t’i kushtoni ose jo shumë rëndësi problemit të tij, apo që gjërat të rrjedhin normalisht. Ky objektiv mund të arrihet vetëm duke bashkëpunuar me familjarët. Me këtë u tregojmë atyre se u duam të mirën. Familjarët mund të duhen dhe respektohen edhe pa rënë në “grackën” e halleve të tyre.

Mos u ndikoni nga ajo që dëgjoni

Kur flisni me familjarë të shqetësuar ose në depresion përpiquni të ruani qetësinë dhe të mos ndikoheni nga ndjenjat e tyre. Mbani një qëndrim, mos e ndryshoni tonin e zërit, pavarësisht mënyrës së të të shprehurit. Duke mbajtur një pozicion neutral ndihmoni veten dhe ata.

Mos luani rolin e tyre

Të mbërthyer në skemën e tij mendore të përsëritur, i afërmi kërkon që ne të “interpretojmë” rolin e zakonshëm (terapist, këshilltar, nënë, njeriu ku mund të shfryhet, shpatulla ku mund të qajë etj.). Kjo është pikërisht ajo që nuk duhet të bëni, duhet t’i fshini këto rregulla. Nëse ia arrini qëllimit pas takimit, do të ndiheni më të lirshëm dhe më mirë se më parë.

Pranojeni problemin ashtu siç është

Ndonjëherë duhet ta pranoni që ndërhyrja juaj nuk mund të zgjidhë asgjë, se gjërat janë kështu dhe nuk mund të ndryshohen. Ndoshta ky është ekuilibri më i mirë i mundshëm. Mund t’i doni edhe pa qenë nevoja që t’i zgjidhni medoemos problemet e tyre. Fundja edhe ata si ju janë të rritur, kështu le t’u bëjnë vetë ballë telasheve.

Share With:
Translate »
678 Views