Prindër, vëmendje! Çfarë rrezikojnë fëmijët që nuk hanë mëngjes?

Megjithëse në shoqërinë shqiptare është ende karakteristik përdorimi i ushqimeve tradicionale mesdhetare, sipas së cilës përfitojmë një dietë të shumëllojshme, të pasur me fruta dhe perime, kanë filluar të evidentohen praktika dhe fenomene shumë të dëmshme të të ushqyerit, fenomene që kanë të bëjnë si me mbiushqyerjen në individë dhe shtresa të caktuara, ashtu edhe me nënushqyerjen në raste të tjera. Studimi ynë na jep të dhëna shumë interesante në këtë drejtim, të dhëna që duhen marrë në konsideratë dhe duhet të jenë në qendër të vëmendjes së punës të stafit mësimor dhe edukativ të strukturave arsimore dhe të stafit mjekësor që i mbështet.

Sipas anketimit tonë, lidhur me pyetjen se “sa ditë në javë fëmijët hanë mëngjes” na rezulton se 42% e fëmijëve të moshës shkollore nuk hanë mëngjes gjatë ditëve të javës kur shkojnë në shkollë, dhe vetëm 35% e tyre hanë çdo ditë mëngjes para se të shkojnë në shkollë. Në Europë shifrat variojnë nga 51% në Slloveni, që hanë mëngjes çdo ditë shkolle, në 90% në Holandë, që hanë mëngjes çdo ditë. Përse ndodh një gjë e tillë, në një kohë që të gjithë e dimë dhe e këshillojmë si të domosdoshme ngrënien e mëngjesit, në mënyrë të veçantë për fëmijët, për nevojat që ka organizmi i tyre që të jetë i mirëushqyer, në mënyrë që të përballojë gjithë aktivitetin fizik dhe mendor gjatë orëve të mësimit dhe në aktivitete të ndryshme jashtë shkolle? Gjykojmë se roli kryesor në këtë sjellje të fëmijëve lidhet me qëndrimin e prindërve ndaj këtij fenomeni: sa janë të angazhuar në mirërritjen e fëmijëve, sa marrin përsipër të ndjekin në detaje mënyrën se si fëmijët e fillojnë një ditë të zakonshme dhe si e vazhdojnë atë, ashtu si edhe si fëmijët përgatiten për t’u ballafaquar me jetën ditë pas dite. Disa nga arsyet që ne mendojmë se kemi një fenomen të tillë në këto përmasa janë si më poshtë:

Prindërit nuk i kanë mësuar fëmijët të vetushqehen. Thënë ndryshe, është detyrë e prindërve (nënës dhe babait, pa përjashtim) që të kujdesen jo vetëm për ushqimin e fëmijëve të tyre, por edhe për t’u mësuar aftësitë elementare të përgatitjes së një ushqimi të thjeshtë. Në këtë mënyrë evitojmë mosushqyerjen te fëmijët kur prindërit nuk janë në shtëpi, apo kur largohen herët nga shtëpia për arsye pune, apo arsye të tjera. Mendojmë që një rol të tillë mund ta luajë edhe shkolla, e cila ka mundësinë që në orë të caktuara mësimore, si edhe në lëndë të caktuara edukative mund t’i ndihmojë fëmijët që të përgatisin ushqimet e tyre. Këto janë praktika që, megjithëse rrallë, kanë ndodhur edhe në shkolla të caktuara në vendin tonë, por që i gjejmë të shpeshta në shkollat e vendeve të tjera europiane.

Prindërit nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur mëngjesit. Shpesh është një zakon i prindërve shqiptarë që, për arsye të ndryshme si mungesa e kohës, mbajtja e dietës, mungesa e gjërave praktike për të konsumuar etj, të mos hanë mëngjes. Dhe kjo sjellje, aspak e shëndetshme e tyre, reflektohet edhe në mënyrën se si fëmijët e përjetojnë mëngjesin në shtëpi. Po ashtu, na duhet të themi këtu se prindi, si për çdo gjë, është modeli i parë që fëmija imiton në jetën e vet. Në këtë kuptim një model i keq, aspak edukativ lidhur me mënyrën e të ushqyerit në familje krijon qëndrime dhe sjellje jo të shëndetshme tek fëmijët që në adoleshencën e hershme, sjellje këto që po u kristalizuan si të tilla, është tepër e vështirë të ndryshohen më pas, pavarësisht punës që mund të bëjnë shkolla, familja dhe shoqëria me ta.

Në shumë raste prindërit gjejnë rrugën më të shkurtër duke iu dhënë lekë në dorë fëmijëve të tyre, në mënyrë që ata të hanë në shkollë dhe përreth saj. Me këtë nënkuptohet që fëmijët të blejnë ushqime në lokalet e shkollave apo pranë tyre, ose edhe në shitësit ambulantë që janë të shumtë përreth shkollave, sidomos në oraret e pushimit, kur fëmijët kanë më shumë kohë të lirë.

Kjo sjellje shtron disa probleme, ndër të cilat mund të përmendim si më të rëndësishmin atë që lidhet me higjienën e ushqimeve që tregtohen në këto lokale, sa të kontrolluara janë ato nga ana higjienike. Është momenti të kujtojmë këtu se jo në pak raste kemi patur ngjarje epidemike, ndër fëmijët, me burim ushqimin përreth shkollave. Pasi, jo të gjitha lokalet kontrollohen për higjienën përditë nga Inspektorati Sanitar, jo gjithmonë ky institucion kryen si duhet detyrën në çdo skaj të vendit, po ashtu në shumë raste është praktikisht e pamundur që të bëhet një gjë e tillë. Por nga ana tjetër, na duhet të themi se edhe nëse realizohet si duhet ky kontroll, janë të shumtë shitësit ambulantë që nuk i kontrollon askush, që i shpëtojnë rrjetës së kontrollit sanitar shtetëror, duke përbërë kështu gjithmonë një rrezik potencial për shëndetin e fëmijëve. Përveç sa më sipër, ka edhe një shqetësim tjetër që lind nga kjo sjellje e fëmijëve për mënyrën e tyre të të ushqyerit dhe që lidhet me faktin se kjo mënyrë të ushqyeri me më shumë kalori se sa nevojiten na ka çuar edhe në lindjen e një rreziku të ri për shëndetin e fëmijëve, që është mbipesha apo obeziteti.

Nga anketimi ynë kur u pyetën fëmijët: “A mbani dietë?”, përgjigjet e tyre ishin si më poshtë: 66% e nxënësve deklaronin se nuk mbajnë dietë; gjë që nënkupton se ata ishin me peshë normale dhe nuk kishin probleme shëndetësore. Por 15% e nxënësve, pavarësisht se u përgjigjën se nuk mbanin dietë, theksonin nga ana tjetër se duhet të binin në peshë, gjë që të bën të nënkuptosh se ata ndjejnë mbipeshën në trupin e tyre. Duke shkuar më tej, janë 7% e nxënësve që deklarojnë se janë mbipeshë dhe kanë nevojë për kura të caktuara ashtu si edhe për aktivitete specifike fizike, që të mund të normalizohen dhe të humbasin kilogramët e tepërt. Krahasuar këto të dhëna me ato që vijnë nga vende të tjera europiane, të bëjnë të mendosh se vendi ynë ka tregues relativisht të mirë për obezitetin. Kështu, shifrat më të ulëta të obezitetit në fëmijët e moshës shkollore janë në Holandë (rreth 8%), Lituania (rreth 6%); ndërsa më të lartat hasen në Maltë (gati 30%) etj.

Por të gjithë e dimë tashmë se dietat e tepruara dhe të zgjatura kanë pasoja serioze për zhvillimin e fëmijëve. “Ato mund të çojnë në probleme me përqendrimin dhe shqetësime gjatë gjumit, në parregullsi menstruale, rrezikun e vonesës së rritjes, shtyrje të maturimit seksual dhe deficenca ushqimore”. Dietat ekstreme (në rastin tonë, ato të rënies në peshë) besohet se shoqërohen me gjendje negative psikologjike si depresioni, ankthi, çrregullime në ushqyerje etj. Është një fakt tashmë që dieta tradicionale mesdhetare “po zëvendësohet nga produkte perëndimore të përpunuara, me më shumë kripë dhe yndyrna të ngopura”, duke ndikuar në obezitetin e fëmijëve të moshës shkollore. Shifra e mësipërme 7-10% e obezitetit në fëmijët e moshës shkollore, si një tregues i kequshqyerjes së tyre, është një shifër me trend rritës. Nga viti në vit kemi numër gjithmonë e më të madh fëmijësh me probleme të mbipeshës. Dhe ky është një fenomen që vërehet edhe me vëzhgime të thjeshta empirike. Mjafton të vizitosh shkollat 9-vjeçare në qytetet e mëdha, shkolla që kanë edhe një numër të konsiderueshëm nxënësish, dhe vëren fëmijë që janë më të shëndoshë se sa duhet, fëmijë që vrapojnë me vështirësi dhe që kanë probleme për realizimin e detyrave të ndryshme në orët e kulturës fizike.

*Artikulli është shkëputur nga studimi “Sjelljet e shëndetshme te fëmijët e moshës shkollore”, me autorë Dr. Shk. Engjëll Mihalin dhe Dr. Shk. Eliziana Petrela.

Share With:



25 Views