Zaho në shkollë, Linda Rama përshkruan emocionin e ditës së parë

Një përqafim që emocionon çdo nënë që shoqëron fëmijën në klasë të parë, ai i Lindës me Zahon.

Fotografia klasike që të gjithë mbajmë në album, por edhe në kujtesën tonë përgjithmonë.

Klasa e parë, dita e parë dhe mësuesi i parë mbeten në mendje gjithë jetën!

Është ndër të rrallat herë kur Linda ekspozohet me djalin, por këtë herë e ka bërë, me sa duket, për të lënë një gjurmë digjitale në kujtimet me të birin, por edhe për të ndarë emocionin me të gjitha nënat që sot kanë shoqëruar fëmijët në kopshte e shkolla.

“Zaho në shkollë. Filloi sot një vit shkollor sfidues për fëmijët, mësuesit, prindërit. Të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe t’u urojmë fëmijëve mbarësi në mësim, por edhe shumë lojë dhe gëzim!” –shkroi Linda përkrah fotove.

Ndryshe nga çdo fillim shkolle, këtë vit ka pasur një gumëzhimë të përmbajtur, sepse maskat nuk e lejojnë shpërndarjen akustike të gëzimit.

Sot janë prekur të gjithë përbrenda – disa sepse këto muaj të gjatë shkëputjeje prej shkollave u kanë krijuar nostalgji; disa sepse kështu, me emocion, përjetohet dita e parë e shkollës; disa sepse ky virus në një kuptim ka kufizuar dhe kushtëzuar përjetimin e natyrshëm të ngjarjeve.

Por të gjithë në thelb kanë qenë të gëzuar që më në fund u rikthyen në bankat e tyre, ashtu siç duket Zaho në këto foto.

Nuk e dimë se çfarë është përshpëritur në atë përqafim, por me siguri i është thënë fraza që çdo nënë i thotë të birit: Suksese dhe bëhu djalë i mirë! Ti na bën të ndihemi krenarë!

Share With:
Translate »
628 Views