Prindërit VIP shqiptarë që nuk zgjodhën lodra por një dhuratë të veçantë për fëmijën
I këndohet dashurisë, prindërve, por edhe fëmijëve. Mbase këngët për fëmijët janë edhe më të bukurat, sidomos kur bebat janë pjesë e klipeve. Të fundit fare që bënë këngë për vajzën ishin Albani dhe Miriami. Për ditëlindjen e vajzës nuk blenë as kukull, as fustan, por i kënduan “Dhurata”. A do kishte dhuratë më të bukur për Amelinë? Mbase sot që është 2 vjeçe nuk e kupton shumë rëndësinë, por sapo të rritet pak do t`ia kuptojë vlerën për gjithë pjesën tjetër të jetës.
Kurse Jonida Maliqi nuk priti të lindte. Nënat futen në rol pa e sjellë ende bebin në jetë. Se ato e kanë brenda vetes dhe ia ndjejnë çdo lëvizje, thonë se edhe lemzën. Kështu që bashkë me Dan te barku i saj, kur ishte në javët e fundit të pritjes së ëmbël, këndoi “Thesar pa emër” në “Kënga Magjike”.
Për djalin e ka bërë edhe Vedat Ademi një këngë. Për atë të madhin, Jon Artin, se i vogli sapo ka lindur. Meqenëse gruaja e tij, Dorela, është ekonomiste e s`ka lidhje me muzikën, ai e bëri pjesë të klipit, bashkë me djalin. “Vetëm ti”, është me siguri dhurata më e bukur që Joni ka marrë deri më sot. E meqenëse iu bë atij një dhuratë e tillë, do t`i bëhet patjetër edhe çunit të vogël një. Kështu që Vedat, futju punës.
Edhe andej nga Prishtina janë bërë këngë për fëmijët, më së shumti për vajzat. Shyhrete Behluli ka bërë një të titulluar “Për vajzën”.
Sabri Fejzullahu priti deri sa Ermali të rritej për ta bërë një këngë për të, ndërkohë që në klip do të kishte nipin prezent, pra djalin e Ermalit. “Biri im” është një ndër këngët e tij më të ndjera.
Mira Konçi mund të ketë vite që është shkëputur nga muzika, ama askush nuk e ka harruar ninullën, që bëri për vajzën e saj dhe për gjithë fëmijët e botës. Ninulla e nënës e titulloi dhe pas kaq shumë viteve na emocionon ende.
Ka edhe të tjera dhe do të ketë akoma, e me siguri nuk do të ketë asnjë këngë tjetër që konkurron këto projekte të dedikuara.