Punë e qëndrueshme dhe një shtëpi, kriteret kryesore që nevojiten për të birësuar një fëmijë

Komiteti Shqiptar i Birësimeve ka parë gjatë vitit 2022 një rritje të adoptimeve, të cilat kanë shkuar në 34 nga 19 që ishin më parë. E ftuar në “Rudina” në Tv Klan për të folur mbi këtë fenomen, drejtoresha Alma Sulstarova Laci thotë se shihet që kërkesat do të jenë edhe më të mëdha këtë vit, por do të nevojitet shumë punë për të lumturuar sa më shumë çifte që duan të kenë një fëmijë.

Mes të tjerash, Laci rendit kriteret thelbësore për të mundësuar një birësim. Tashmë birësimi është i mundur edhe për nënat beqare.

Alma Sulstarova Laci: Në fakt janë disa kritere, por kriteri kryesor është të pasurit një punë stabël, i një punësimi të qëndrueshëm dhe të ardhurat sigurisht të jenë të mjaftueshme për të rritur mirë një fëmijë dhe të kenë një shtëpi të cilën ta posedojnë ata, të dokumentuar, të hipotekuar dhe bëhen edhe vizita në familje ku shikohen edhe kushtet e banimit. Janë një sërë faktorësh, por dhe më e rëndësishmja, janë intervistat psikosociale që bëhen ku në mënyrë të detajuar dhe të thellësishme, ekspertët tani psikosocialë kuptojnë  pse X çift ose X familje dëshiron të birësojë. Nëpërmjet një pyetësori personal,  ato bisedojnë me çiftin dhe përpiqen të kuptojnë arsyen që i ka sjellë në zyrën tonë për birësim.

Rudina Magjistari: Dhe pak a shumë sa zgjat e gjitha si procedurë, sa kohë merr i gjithi si proces?

Alma Sulstarova Laci: Shiko, është i supozuar të përfundojë në një hark kohor prej 2-3 vjet por ne kemi raste që nuk kemi përfunduar dot në këtë hark kohor kështu që edhe ky është një propozim që bëhet, që përshtatshmëria që çiftet marrin dhe që ka një invaliditet 2-vjeçar, kjo vlefshmëri më falni ta them shqip, të bëhet 4 vjet, pra që çifti të mos jetë i detyruar që gjatë kohës që ka depozituar kërkesën tek ne, të rinovojë dokumentat sepse ne mendojmë dhe ekspertët gjykojnë që gjatë një harku kohor të dy vjetëve nuk ka shumë gjasa që të ndryshojnë faktorët social-ekonomikë të familjes. Ato mund të verifikohen përsëri, por vlefshmëria e dokumentave të bëhet 4 vjet.

Share With:
Translate »
64 Views