Regjisori Altin Basha flet për familjen dhe për humbjen e nënës së tij në moshë të re

Me rastin e 28 Nëntorit, ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, programi “Dola te Ola” filloi me një poezi të Imzot Vincens Predushit të interpretuar nga aktorja e mirënjohur Roza Anagnosti. Një poezi shumë e bukur dhe një interpretim rrëqethës nga Roza Anagnosti ishte ajo që na duhej si fillim në këtë ditë të shënuar.

I ftuari i parë për këtë javë në program ishte regjisori i njohur Altin Basha, i cili ndër të tjera bëri një rrëfim të rrallë për jetën e tij personale.

Ai zbuloi se nëna e tij është ndarë herët nga jeta në moshën 39-vjeçare, për shkak të një sëmundje të rëndë. Altini tha se ka qenë vetëm 18 vjeç dhe ndoshta një pjesë e krijimtarisë së tij vjen nga drama që ai ka pësuar në rini, pavarësisht se prej nënës regjisori ka kujtime të jashtëzakonshme dhe të gëzueshme.

Altin Basha rrëfeu se babai i tij mori rolin e nënës kur ajo ishte e sëmurë dhe kjo gjë vijoi edhe pas humbjes së saj, “Ka qenë shumë e vështirë, por babai na mbajti mua dhe motrën të bashkuar, nuk na mungonte asgjë”.
Regjisori tregoi se i ati më pas u rimartua dhe bashkëshortja e tij u integrua shumë mirë në familjen e tyre. “Ishte fat i mirë për ne pas asaj fatkeqësie të madhe që na ndodhi”, tha ai dhe shtoi se ata ishin mirënjohës për kujdesin që ajo ka treguar ndaj tyre, duke dhënë në këtë mënyrë edhe një shembull shumë të mirë për të gjithë ata që jeta i përball me sfida të tilla.

Një person shumë i rëndësishëm në jetën e Altinit është xhaxhai i tij, për të cilin foli për herë të parë në “Dola te Ola” dhe zbuloi se ai ka patur një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e tij në drejtimin e dijes. “Im atë më ka lidhur me artin, xhaxhai më ka lidhur me dijen”, theksoi regjisori.

 

Share With:
Translate »
166 Views