Robert Aliaj, përballë të birit në “Love Story”: Ndoshta do përdor edhe shkopin?

Vetëm një ditë para edicionit të dytë të ‘Love Story’, Robert Aliaj, opinionisti që është i mësuar dhe i sprovuar me spektaklet televizive, me karaktere të ndryshme personazhesh të çdo lloj formati, nuk e fsheh që ka një emocion tjetër: në fron është i biri. Krist do të jetë protagonisti në kërkim të dashurisë dhe Robertit i duhet të mbajë qëndrimin e tij, të jetë i ashpër kur shikon që diçka nuk shkon, kur personazhet dalin nga natyra e tyre (dhe ai e di mjaft mirë nëse Kristi do të jetë origjinal gjatë gjithë kohës), por, me siguri, për publikun kureshtar, sjellja e Robertit përballë të birit dhe e këtij të fundit përballë ‘vrazhdësisë’ së të atit do të shihet me mjaft interes.

Në një prononcim ekskluziv për Class, Robert Aliaj pranon se ky edicion i ‘Love Story’ do të jetë më i komplikuar. Arsyeja, pa dyshim, është edhe pjesëmarrja e Kristit protagonist. Megjithatë, Roberti është i bindur dhe i detyruar që të mos e lejojë Kristin të bëjë gabime, sepse, sipas tij, ai duhet të jetë i përgjegjshëm për rolin që ka marrë përballë publikut, por edhe përballë vajzave kandidate për të fituar zemrën e tij: “Ky edicion i ‘Love Story’ është i komplikuar dhe unë jam i detyruar që mos t’i lejoj Kristit të bëjë gabime”.

Po nëse Roberti do të vërejë diçka që nuk shkon? “Ndoshta do përdor edhe shkopin?” – shton ai me pikëpyetje, por të gjithë e dimë që, thënë kështu, figurativisht, nënkupton që edhe përballë të birit nuk do t’i rezervojë kritikat: “Kristi duhet të tregojë aty përgjegjshmëri, si aset që orienton dhe ndihmon në kuptimin e dhënies sens të jetës në përgjithësi”.

Në lidhje me natyrën e Kristit, Roberti thotë se ai “ka pak prirje narcistike, që e bëjnë interesant, por pozitive. Ai e di që joshja është  transgresion dhe do kërkojë t’i orientojë vajzat në një fushë disi të ndaluar… dhe pastaj e di vetë ai”, – shton Roberti me të qeshur, por i bindur që i biri është një lloj gjahtari që e pëlqen procesin e gjuetisë.

Roberti e di mirë që Kristi është i prirur për të bërë spektakël. Në fund të fundit, e ka në gjak këtë të fundit apo jo?

Share With:
Translate »
140 Views