Robert De Niro zbulon rregullin e tij nr. 1 të prindërimit në moshën 81 vjeçare
Aktori legjendar Robert De Niro, 81 vjeç, ka ndarë një nga këshillat më të ndjera për prindërimin, teksa rrit vajzën e tij 2-vjeçare, Gia, me partneren Tiffany Chen.
“Gjëja më e rëndësishme është të mbështesësh fëmijët e tu,” tha ai për “Entertainment Tonight”. “Për sa kohë që nuk po i bëjnë keq vetes apo të tjerëve, duhet t’i mbështesësh, pikë.”
Ai shtoi se fëmijët duhet ta ndiejnë atë mbështetje, edhe kur nuk je dakord me zgjedhjet e tyre.
De Niro, i cili është baba i shtatë fëmijëve, e përshkroi Gianne e vogël si “gëzim të pastër”. Aktori pranoi se nuk i ndërron pelenat, por e shijon mëngjesin me të duke parë “Ms. Rachel” në YouTube dhe duke i dhënë biberonin.
Ai theksoi se Chen, 45 vjeç, është ajo që bën “punën e vështirë”, ndërsa ai përpiqet të jetë mbështetës dhe i pranishëm. “Nuk bëhet më e lehtë me kalimin e kohës,”tha ai për prindërimin, “por përpiqem të bëj më të mirën.”
De Niro, gjithashtu, ka treguar publikisht dashurinë dhe pranimin për vajzën e tij Airyn. “E kam dashur dhe mbështetur Aaron si djalë, dhe tani e dua dhe mbështes Airyn si vajzë,” tha ai. “Nuk e kuptoj ku është problemi. I dua të gjithë fëmijët e mi.”